Në “Kosova B” u dogjën cigare në vlerë prej 1 milion euro

Prishtinë, 15 janar 2004 – Dje termocentrali “Kosova B” prodhoi më tepër rrymë, në sajë të energjisë që do të lirohet nga djegia e cigareve kontrabandë, që vlejnë 1 milion, të cilat janë konfiskuar nga doganat e Kosovës.

Kris Litière, zyrtar i UNMIK-ut tha gjatë një konference me gazetarë në Prishtinë se “Shërbimi Doganor do të shkatërrojë sasi të cigareve të kontrabanduara dhe të konfiskuara nga doganierët e UNMIK-ut”.

Sipas tij, vlera e cigareve të konfiskuara është rreth 1 milion, të cilat nëse do të futeshin në tregun e Kosovës supozohet se do ta varfëronin buxhetin me 400 mijë euro.
Nuk është bërë publike se kur dhe nga kush janë konfiskuar cigaret e kontrabanduara.
UNMIK-u ka njoftuar gjithashtu se të mërkurën është dita e fundit deri kur të gjitha cigaret në Kosovë mund të shiten pa banderola (pullë fiskale). Pas kësaj dite të gjitha cigaret, sipas ligjit, është e detyruar që të kenë banderolat.

Ende nuk është e qartë se cili do të jetë fati i cigareve në vlerë prej milionë euro që po shiten në tregun e Kosovës, ose që gjenden stoqe. Nëse UNMIK-u i përmbahet zotimit, ato do të konfiskohen dhe do të përfundojnë në zjarrin e termocentraleve të Kosovës.

Doganat e Kosovës i kanë prodhuar banderolat dhe i kanë dërguar ato para disa muajsh te prodhuesit e duhanit. Vendosja e etiketave sipas zyrtarëve synon pengimin e kontrabandimit, luftimin e kriminalitetit të organizuar dhe krijimin e mjedisit stabël ekonomik në tërë rajonin për t’i inkurajuar investimet e jashtme.

ECIKS / Biznesi