Tiranë, 15 janar 2004 – Banka e Kursimeve kalon përfundimisht në pronësi të austriakëve. Është nënshkruar dje kontrata e shitjes së bankës më të madhe në Shqipëri nga ana e Ministrisë sonë të Financave dhe përfaqësuesve të Raiffeisen Bank. Shitja 100 për qind e aksioneve të Bankës së Kursimeve u finalizua pas debateve të shumta që ngjalli ky privatizim, debate që kishin të bënin kryesisht me çmimin me të cilën kjo bankë iu shit austriakëve. Fillimisht banka austriake kishte ofruar shumën e 95 milionë dollarëve, plus një pagesë në kontribut (investimet në kapitale) prej 31 milionë dollarësh, ndërkohë që OTP Bank, konkurrentja tjetër në tender, kishte ofruar 119 milionë dollarë amerikanë “cash” (para në dorë). “Ne dhamë një çmim të lartë dhe menduam se kontrata që na u ofrua nga Ministria e Financave përmbante një risk shumë të lartë, kështu që nuk pranuam të dorëzonim kontratat e nënshkruara brenda një ore. Duhet të kuptojmë se me atë çmim të lartë nënshkrimi i një kontrate brenda një ore do të ishte i pamundur dhe jo i kujdesshëm”,-është shprehur zv.drejtori i përgjithshëm i OTP Bank Laszl Wolfe. Fakti i fitimit të tenderit nga Raiffeisen Bank, edhe pse me një ofertë më të ulët, ngjalli polemika të shumta. E ndodhur në një situatë të tillë, banka austriake ndryshoi ofertën e saj, duke dhënë një çmim për Bankën e Kursimeve prej 126 milionë dollarësh cash.
Kështu, ka qenë Këshilli i Ministrave ai që shpalli përfundimisht fituese të tenderit ndërkombëtar për privatizimin e Bankës së Kursimeve Raiffeisen Bank për një vlerë prej 126 milionë dollarësh. Në këtë shumë përfshihet edhe dividendi i Bankës së Kursimeve prej 21 milionë dollarësh, ku dividendi vjetor i vitit 2003 do të derdhet i gjithë në buxhetin e shtetit. Nga privatizimi strategjik i Bankës së Kursimeve të ardhurat e përgjithshme në buxhetin e shtetit për vitin 2004 parashikohen të rriten afro 8 për qind.
Në nënshkrimin e kontratës përfundimtare ishte i pranishëm edhe kryeministri Fatos Nano. Burime zyrtare pranë Kryeministrisë bëjnë të ditur se pjesë e marrëveshjes së shitjes është edhe marrëveshja “Escrow”, e cila do të rregullojë marrëdhëniet e lëvrimit të pagesave midis Ministrisë së Financave dhe Raiffeisen Zentral Bank, të cilat do të kryhen nëpërmjet American Express Bank. Me firmosjen e marrëveshjes së shitjes së aksioneve, procesin do ta pasojnë një sërë procedurash, të cilat do të ndiqen në vazhdimësi deri në bërjen e kësaj kontrate të vlefshme
ECIKS / Biznesi