Prishtinë, 14 janar 2004 – Pensionistët e Kosovës kërkuan që të hartohet ligji mbi pensionet dhe të ndërpritet praktika e dhënies së pensionit-ndihmë në vlerë prej 40 eurosh nga buxheti i Kosovës.
Lidhja e Pensionistëve të Kosovës kërkoi nga qeveria dhe UNMIK-u që të fillojë dhënia e pensioneve të grumbulluara për 40 vite me radhë. Rasim Domi kryetar tha se ligji bazë mbi pensionet nuk është ligj i mirëfilltë, pasi me të është përcaktuar ndihmë për të gjithë të moshuarit mbi 65 vjeç.
Fondi i pensionistëve të Kosovës rezulton i plaçkitur nga ish-pushteti serb, ndërsa aktualisht të moshuarit mbi moshëm 65-vjeçare, pavarësisht a kanë punuar më parë, marrin ndihmë sociale nga shteti në vlerë prej 40 eurosh. Në një konferencë për shtyp në Prishtinë, kryetari i Lidhjes së Shoqatave të Pensionistëve të Kosovës Rasim Domi tha se problem kryesor mbetet statusi i pazgjidhur i pensionistëve. “Pensionet duhet të jepen në bazë punës së secilit person,” tha ai. Sipas Domit, shuma e parave prej 35 eurosh që këtë vit u rrit në 40 euro, nuk mund të konsiderohet dhe as që do të pranohet të jetë pension. “Pensionistëve të Kosovës po iu shkelen të drejtat e tyre themelore për të ekzistuar, rast i vetëm ky në botën e civilizuar, duke ndodhur edhe në praninë e UNMIK-ut,” tha Domi. Ai tha se do të vazhdohet me protesta edhe më të ashpra dhe padi si të vetmet mënyra për ta zgjidhur këtë problem.
“Harri Holkeri është i vetmi që na është përgjigjur me një letër keqardhjeje prej të gjithë atyre që u kemi shkruar,” tha udhëheqësi i pensionistëve të Kosovës.
ECIKS / Biznesi