Emigrantët financojnë bizneset e reja

Tiranë, 14 janar 2004 – Të ardhurat e emigrantëve për vitin 2003 i kanë kaluar 700 milionë dollarët dhe kjo shifër është rreth 30 për qind më e lartë se e vitit të kaluar. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë. Këto të ardhura mbulojnë më shumë se gjysmën e deficitit tregtar, duke u bërë kështu shtylla kryesore e ekonomisë vendase.

Paratë e emigrantëve kanë shërbyer kryesisht si financim fillestar për bizneset e reja. Studime të mbështetura në anketime të INSTAT-it tregojnë se 1/3 e bizneseve të reja kanë përdorur si burime fillestare financimi paratë e emigrantëve. “Këto investime do të ishin akoma edhe më të mëdha në qoftë se do të ekzistonin strukturat e ngritura që do t’iu krijonin lehtësira individëve të ndryshëm për t’i investuar këto para në Shqipëri, sidomos në bizneset që do të zvendësonin importet që vijnë nga jashtë”, shprehet për “Biznesin” Tonin Kola, anëtar i këshillit mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë. Sipas tij, faktorët që kanë çuar në mosinvestimin e të gjitha parave të emigrantëve brenda vendit janë disa. “Një faktor është se paratë e ardhura nga emigrantët nuk janë të mjaftueshme për të hapur një aktivitet biznesi, pra kërkohet një mbështetje plotësuese me kredi nga ana e bankave të nivelit të dytë, në mënyrë që këto para të lejojnë hapjen e një aktiviteti biznesi”.

Një përvojë e re që vihet re këto vitet e fundit është dhe fakti që një pjesë e emigrantëve nuk i dërgojnë më kursimet e tyre në formën e transfertave, por janë rikthyer në Shqipëri dhe kanë bërë investime, kryesisht në formën e shërbimeve dhe në bujqësi. “Sigurisht që për fillimin e këtyre bizneseve shërbejnë në radhë të parë paratë që ata kanë sjellë, por një rol kryesor ka luajtur edhe përvoja që ata kanë marrë duke punuar në vendet e huaja”, thotë specialisti i Bankës Qendrore. Ata kanë krijuar njëfarë eksperience që iu shërben për të përballuar kushtet e konkurrencës dhe kushtet e tregut shqiptar.

Të ardhurat e emigrantëve stabilizojnë kursin e këmbimit
Gjithashtu, transfertat nga emigrantët rrisin ofertën në valutë të huaj në tregun valutor shqiptar dhe në këtë mënyrë ato ndikojnë në qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit në kushtet e një kërkese të lartë për importe, pra dhe të një kërkese të lartë për valutë të huaj, që normalisht do të çonte në rritjen e kursit të këmbimit. Transfertat nga emigrantët financojnë gati gjysmën e deficitit të bilancit tregtar (deficit në bilancin tregtar kemi kur importet tejkalojnë eksportet). E mira do të ishte që paratë e emigrantëve të mos shkonin përsëri jashtë për të financuar këtë deficit, por të investoheshin brenda vendit.
Realiteti ka treguar që rruga e investimit ka filluar që herët, pasi gati një e treta e bizneseve kanë si financim fillestar të tyre të ardhurat nga emigrantët.

Si bëhet transferta e parave të emigrantëve?
Pjesa më e madhe e parave të emigrantëve vjen në formë ndihme për familjet e tyre, por një pjesë akoma edhe më e madhe investohet në forma të ndryshme. Eksodi i emigrantëve nëpër botë ka nxjerrë si domosdoshmëri edhe funksionimin e institucioneve që kryejnë transfertat e këtyre parave, siç janë “Money Gram” dhe “Western Union”. Valbona Hoxha, supervizore e “Money Gram” në Bankën e Kursimeve shprehet se gjatë vitit 2003 janë kryer rreth 22.600 transferta nga të cilat rreth 574 janë dalje nga Shqipëria dhe rreth 22 mijë hyrje. Sipas Hoxhës, paratë që dalin nga Shqipëria shkojnë më shumë për studentët që studiojnë jashtë vendit. Ndërsa paratë që hyjnë në vend, në 80 për qind të rasteve janë për familjet që nuk kanë asnjë të punësuar ose për prindërit pensionistë.

Pse shumica e transfertave vijnë dorazi dhe jo në rrugë bankare?
Në radhë të parë besueshmëria dhe edukimi bankar në Shqipëri është shumë i ulët. Së dyti, rrjeti bankar nuk është i shtrirë në të gjithë territorin dhe kjo bëhet pengesë për dërgimin e parave me banka nëpër fshatrat e thella. Gjithashtu, një ndikim të madh në këtë fakt ka edhe niveli jo i zhvilluar i teknikave të transfertave (kohëzgjatja dhe komisionet e larta), si dhe fakti që një pjesë e emigrantëve punojnë në punë “të zezë” dhe druhen të kenë marrëdhënie me bankat e vendeve përkatëse.

Të ardhurat nga emigrantët pritet të ulen gjatë viteve të ardhshme
Të ardhurat nga emigrantët pritet të vijnë në ulje gjatë viteve në vazhdim. Ilir Gërdeshi nga Qendra për Studime Ekonomike dhe Esmeralda Uruçi nga Banka e Shqipërisë kanë bërë një vëzhgim mbi 1 150 emigrantë për të ardhurat që ata sjellin dhe përdorimin e tyre në Shqipëri. Duke iu referuar këtij vëzhgimi, mësohet se të ardhurat nga emigrantët pritet të ulen për shkak të familjarizimit të emigrantëve në vendet ku ata jetojnë e punojnë.

Gjatë vitit të kaluar të ardhurat nga emigrantët kanë qenë mbi 700 milionë dollarë dhe kanë mbuluar më shumë se gjysmën e deficitit tregtar të Shqipërisë. Gjithashtu, ky vëzhgim tregon edhe mënyrën e shpërndarjes të të ardhurave që sigurojnë emigrantët për ushqim, veshje dhe blerje shtëpish. Bazuar në këtë vëzhgim, në afat të mesëm apo të gjatë, emigrantët kanë planifikuar të kthehen në Shqipëri për të investuar në një klimë që pritet të përmirësohet.

ECIKS / Biznesi