Prishtinë, 13 janar 2004 – Vitin e kaluar ekonominë e Kosovës e karekterizuan problemet e shkaktuara me ndërprerjen e privatizimit, moskompletimi i infrastrukturës ligjore, konkurrenca jolojale, ndërkohë që vlerësohet si ecuri pozitive nënshkrimi i marrëveshjes për tregti të lirë me Shqipërinë, si edhe shtimi i investimeve të brendshme.
Ekonomia e Kosovës, me probleme të llojit të vet, është duke lëvizur përpara, megjithë mosekzistimin e shënimeve të sakta lidhur me aktivitetet ekonomike që zhvillohen në vendin tonë. Ekonomistët pajtohen se, në kushte normale, realisht ka mundur të bëhet më shumë, mirëpo mendojnë se nuk është arritur pak. Drejtori i Institutit Ekonomik, prof. Musa Limani, përndryshe njëri ndër kritikët më të ashpër të ecurive të tashme ekonomike, vlerëson se, nëse nuk ndryshohet politika makroekonomike si edhe forma dhe modeli i procesit të privatizmit, ekonomia do të futet në një krizë edhe më të thellë.
“Unë jam shumë skeptik dhe nëse vazhdohet me këto politika zhvillimore, me këtë formë dhe model të procesit të privatizmit dhe me këtë menaxhim të mjeteve buxhetore, nuk pritet ndonjë përmirësim, por përkundrazi problemet sociale do të rriten”, ka theksuar Limani.
Nënkryetari i OEK, Mustafë Ibrahimi thotë se institucionet e Kosovës në rend të parë duhet t’i nxjerin ligjet ekonomike dhe vendi ynë të ketë qasje në institucionet financiare ndërkombëtare dhe ka shtuar se: “Kosova, përveç që duhet të identifikohet si entitet i veçantë ekonomik duhet të ketë qasje në institucionet ndërkombëtare financiare ngase Kosova si e izoluar nuk mund të ecë përpara”.
Një e arritur tjetër e veçuar është edhe Buxheti i Konsoliduar i Kosovës, i cili këtë vit plotësohet tërësisht nga të hyrat vendore.
ECIKS / RK