Fillon transporti tranzit Maqedoni – Mal i Zi

Prishtinë, 13 janar 2004 – Karvani tranzit i kamionëve për Mal të Zi nëpër Kosovë do të fillojë më 13 janar. Karvani do të niset çdo të martë nga vendkalimi kufitar Bllacë për Mal të Zi, kurse prej Maqedonisë nëpër Kosovë do të niset çdo të enjte – informoi Drejtoria e Doganave. Dogana do t’i pranojë paralajmërimet për mjetet transportuese që duhet të përfshihen në karvani nga tani deri ditën e hënë. Në karvanet për tranzit mund të futen mallrat e doganuara me prejardhje nga Maqedonia ose vendet tjera, me përjashtim të prodhimeve që kanë akcizë si cigaret dhe alkooli, kurse nga ndalesat do të lirohen birra dhe derivatet e naftës, me përjashtim të mazutit. Kalimi tranzit i mallrave nga Maqedonia dhe Mali i Zi nëpër Kosovë u ndalua nga ana e UNMIK-ut menjëherë pas krizës së Kosovës në vitin 1999. Pastaj u vendos transporti i mallrave në karvane, por shumë shpejt edhe kjo u ndalua si rezultat i keqpërdorimeve. Deri më sot transporti i mallrave është bërë rreth Kosovës, që ndikon në shtrenjtimin e tyre (nëpërmjet rritjes së shpenzimeve të transportit) dhe arritjen me vonesë. Ideja për korridorin tregtar përmes Kosovës doli nga takimi i para ca kohëve i presidentit të Maqedonisë dhe atij të Malit të Zi Boris Trajkovski dhe Filip Vujanoviç. Kjo ide i është kumtuar edhe kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepit, gjatë takimit që presidenti maqedonas Trajkovski ka pasur me të gjatë verës së kaluar.

Hapja e korridorit tregtar nëpër Kosovë u vendos në fillim të dhjetorit të vitit 2003, kur presidenti i Maqedonisë Boris Trajkovski takoi drejtorët e doganave të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Takimi u mbajt në Shkup dhe me këtë rast, drejtorët e doganave të të trija vendeve theksuan gatishmërinë për koordinimin e procedurave për një transport efikas dhe të shpejtë përmes Kosovës, duke dhënë kështu një impuls në rritjen e shkëmbimeve tregtare.

ECIKS / Biznesi