Prishtinë, 15 janar 2004 – Përfaqësuesit e operuesit të telefonisë mobile “Mobikos” kanë kërkuar nga Kuvendi Komunal i Pejës që të marrin me qira njërin nga katet e objektit të komunës, në të cilin deri vjet ishin të vendosur paqeruajtësit e KFOR-it. Atyre nuk u kanë bërë përshtypje vlerësimet e qeverisë dhe Ministrisë së Telekomunikacionit se operatorët serbë në Kosovë janë ilegal, sepse nuk janë të licensuar dhe nuk i paguajnë tatime buxhetit të Kosovës. Operuesi telefonik serb dhe përfaqësuesi i tyre për Kosovën thirren në një licensë të lëshuar nga ish-regjimi serb në Kosovë, të cilën e njeh vetëm UNMIK-u, por jo qeveria.
Telekomunikacioni së bashku me ndarjen e brezit frekuencor në Kosovë janë të drejta të rezervuara nga UNMIK-u.
Sipas kryeshefit të ekzekutivit të Pejës, Ramiz Zeka, komuna ka vendosur t’i dalë në ndihmë këtij operuesi, nëse i lejohet operimi nga autoritetet. Biznesmeni kosovar nga Peja Ekrem Lluka pretendon se ka blerë shumicën e aksioneve të rrjetit telefonik serb në Kosovë “Mobtel” dhe nga ajo ka krijuar kompaninë e re “Mobikos”.
“Në takimin e Bordit të Drejtorëve më 6 janar janë marrë vendimet për dhënien me qira të njërit nga katet e objektit tonë, nëse ata marrin pëlqimin nga Ministria e Telekomunikacionit”, tha kryeshefi i Pejës.
Në të njëjtin objekt, në kohën kur kjo ndërtesë shfrytëzohej nga paqeruajtësit italianë, ishte vendosur antena për emetimin e valëve të “Mobtelit” të Serbisë më qëllim që banorëve të fshatit serb të Gorozhdecit t’u mundësohej hyrja në valët e kësaj telefonie.
Kryeshefi Ramiz Zeka ka treguar për përpjekjet e komunës që ka bërë para dy vitesh për ta hequr atë antenë, mirëpo, siç thotë ai, UNMIK-u nuk ua kishte lejuar ta bëjnë këtë.
Menaxheri teknik i “Mobikosit” për Kosovën, Kujtim Gacaferri, shpreson se gjatë kësaj jave do t’i marrin çelësat për hapësirën e kërkuar në këtë objekt.
Telefonia mobile në Kosovë
Momentalisht në Kosovë operon legalisht vetëm “Vala 900”, që është operator publik në Kosovë. Në shumicën e territorit të Kosovës, e sidomos nëpër enklavat serbe funksionon rrjeti i telefonisë së lëvizshme serbe. Sipas qeverisë, të gjithë operatorët tjerë përveç “Valës 900” janë ilegalë, sepse ata nuk paguajnë taksa për shtetin dhe nuk kanë licensë për punë. Qeveria ka akuzuar gjithashtu edhe operatorët tjerë të shteteve fqinje, që siç thonë ata po funksionojnë në mënyrë të paligjshme. Akuza të tilla janë bërë nga operatori maqedonas i telefonisë “Mobimak”, atij malazez “Pro monte” dhe operatorit shqiptar “Alb Telekom”.
Qeveria dhe UNMIK-ut kanë shpallur para një muaji tenderin ndërkombëtar për licensimin e operatorit të dytë te telefonisë mobile në Kosovë. Sipas ministrit të Telekomunikacionit Zef Morina, “në garë për operatorin e dytë legal janë 10 kompani nga vende të ndryshme të botës”.
Operatori i ri pritet të fillojë punën në pranverë.
ECIKS / Biznesi