Schuessel: Ballkani në BE deri në vitin 2014

Vjenë, 29 korrik 2004 – Anëtarësimi në BE i shteteve të Evropës Juglindore është i mundshëm brenda vitit 2014, deklaroi dje kancelari austriak, Wolfgang Schuessel në takimin jozyrtar me pesë kryeministrat e vendeve ballkanike, që po zhvillohet në Salcburg.

Në takimin me temë “Për stabilitetin në Evropën Juglindore të shekullit XXI” ishin të pranishëm kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, i Shqipërisë, Fatos Nano, i Bullgarisë Simeone Coburgo-Gotha, i Maqedonisë Hari Kostov, i Rumanisë Adrian Nastase së bashku me eurokomisioneren e re austriake Benita Ferrero-Waldner dhe koordinatorin për Paktin e Stabilitetit, Erhard Busek.

Edhe Busek nënvizoi “perspektivën evropiane” të vendeve ballkanike duke theksuar se këto vende duhet të kenë përparësinë në zgjerimin e BE-së. Busek kundërshtoi gjithashtu konkurencën mes Ballkanit dhe Turqisë në favor të të parit.

Në takimin jozyrtar të Salcburgut mungonin kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, i Kroacisë, Ivo Sanader dhe i Bosnje-Hercegovinës, Adnan Terziç, të cilët ishin të impenjuar në politikën e brendshme të vendeve të tyre.

ECIKS / Balkanweb