Rugova premton përkrahje për prodhuesit kosovarë

Prishtinë, 20 dhjetor 2004 – Gjatë një takimi me drejtuesit e Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova tha se prodhuesit kosovarë do të kenë përkrahjen e institucioneve vendore dhe të qeverisë. Rugova tha se qeveria ka obligim që të ndihmojë prodhimet kosovare përmes stimulimit, kredive të volitshme, subvencioneve dhe njëkohësisht t’i kushtohet kujdes cilësisë së prodhimeve vendore. “Duhet të gjejmë edhe mundësinë që t’i eksportojmë prodhimet tona në tregjet europiane dhe vendet e tjera”, tha kryetari i Kosovës. Në anën tjetër, Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha se është i kënaqur me përkrahjen e ofruar nga instuticionet kosovare dhe premtoi se do të punojë edhe më tej në mënyrë që të ketë sa më shumë prodhime cilësore vendore. “Ne edhe më tutje do të vazhdojmë me aktivitete tona për promovimin e prodhimeve kosovare”, tha Shahini. AKB-ja ishte organizatore e fushatës “Java e biznesit kosovar”, që u mbajt muajin e kalur, që synonte sensibilizimin e konsumatorëve vendorë që të konsumojnë produkte vendore, ndërsa institucionet vendimmarrëse të hartojnë ligje në favor të zhvillimit të tyre. Eksportet kosovare janë në nivele mjaft dëshpëruese. Ato zënë vetëm 5 për qind të totalit të importeve, të cilat arrijnë mesatarisht në 1 miliardë euro çdo vit.

ECIKS / Biznesi