Ruecker inkurajon eksportuesit

Prishtinë, 30 tetor 2006 — Kryeadministratori i Kosovës, Joachim Rucker, inkurajoi drejtuesit e fabrikës Silcapor në Kaçanik, që të vazhdojë me hapa të guximshëm prodhimin, në mënyrë që së bashku me fabrikat e tjera kosovare, të baraspeshojnë dallimet e mëdha ndërmjet importit dhe eksportit. Ruecker theksoi se cilësia e prodhimeve është ajo që i bën prodhuesit konkurrentë në tregun e brendshëm e në atë të jashtëm.

“Silcapori është një shembull i privatizimit në Kosovë. Ju keni bërë një punë të jashtëzakonshme në përmirësimin e kushteve në këtë fabrikë, në shtimin e qarkullimit dhe të qenit i pranishëm në tregun e jashtëm”, tha Ruecker.

Ndërmarrja “Silcapor” e Kaçanikut është një nga prodhuesit më të mëdhenj të materialeve ndërtimore në Kosovë. Ajo prodhon blloqe porozbetoni nga rëra e kuarcit për ndërtimtari. Stafi udhëheqës ka pohuar se prodhimi mujor është trefish më i madh se para privatizimit më 2003, me një kapacitet mujor prej 20 mijë metra kub blloqe.

“Vitin e ardhshëm presim rritjen e kapacitetit 100 për qind. Por, kërkesa e parë e biznesit kosovar është që t’u ndihmohet me kredi me kamata shumë më të volitshme, ndoshta jo si në shtetet e Evropës, por ato të përshtaten”, i ka thënë kryeadministratorit Ruecker udhëheqësi i Silcaporit, Zylqif Berisha.

Gazeta Express