31 tetori nuk do të jetë dita kur do të zgjidhet faza parakualifikuese për investime në energjetikë. Komiteti Drejtues i Projektit e ka shtyrë këtë afat për një muaj më vonë. Kjo, sipas vendimmarrësve, është bërë për shkak të kritereve të ashpra për investitorët.
Prishtinë, 30 tetor 2006 — Kompanitë e mëdha botërore, të cilat kanë shprehur interesim të investojnë në energjetikën e Kosovës, duhet të presin edhe një muaj për të kaluar fazën parakualifikuese, e cila ka qenë paraparë të bëhet më 31 tetor.
Komitetit Drejtues i Projektit në një mbledhje ka shqyrtuar të gjitha komentet që kanë ardhur në adresë të tyre pas mbajtjes së Konferencës për investitorët më 10-11 tetor në Prishtinë dhe është dakorduar që ta shtyjë këtë afat.
Ky afat është shtyrë për një muaj më vonë, duke u konsultuar me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, se duhet të mbahet niveli i njëjtë i kritereve, por me disa modifikime, duke marrë parasysh edhe vërejtjet e shprehura në Konferencën me investitorë.
Ndërsa, zyrtarë nga Ministria e Energjisë dhe Minierave, MEM, thanë se kjo shtyrje nuk është bërë për probleme teknike, apo për probleme të tjera.
“Afati për fazën parakualifikuese është shtyrë për një muaj më vonë, do të thotë më 30 nëntor. Nuk është shtyrë për probleme teknike apo për diçka tjetër të ngjashme, por është shtyrë që investitorëve t’u jepet më shumë kohë që të jenë më mirë të përgatitur, për shkak të kritereve të ashpra, të cilat janë të parashtruara për investitorët e interesuar”, tha Agron Dida, zëvendësministër në MEM.
Por, edhe Bajram Rexhepi, i cili është i angazhuar si këshilltar i jashtëm i kompanisë çeke, CEZ, tha se nuk e dëmton procesin e investimit në energjetikë shtyrja njëmujore e afatit të fazës parakualifikuese.
Rexhepi është edhe shef i zyrës së kësaj kompanie në Kosovë, e cila edhe aktualisht është e vetmja kompani që ka hapur zyrë në Kosovë.
Sipas tij, kompania për të cilën është angazhuar ai, ka qenë e gatshme që faza parakualifikuese të mbahet më 31 tetor, por prapëseprapë nuk është kundër shtyrjes njëmujore.
“Vendimi për shtyrjen e afatit të fazës parakualifikuese është marrë njëzëri. Kjo nuk mendoj se do ta dëmtojë procesin e zgjedhjes së investitorit, përkundrazi, do ta forcojë edhe më shumë. Një muaj nuk është kohë shumë e gjatë, dhe nuk besoj se do të ketë ndonjë problem. Edhe nëse do të fillonte faza parakualifikuese më 31 tetor, siç ishte paralajmëruar, ne kemi qenë të gatshëm”, tha Rexhepi.
Nga kompanitë më të rëndësishme, të cilat kanë pasur kontakte deri tani, zyrtarë të MEM-it ërmendin firmat General Electric, Siemens, Cez, Çalik, Enerji, Aes, Areva, Alstom e tjerë.
Sipas studimit që ka bërë MEMi, termocentrali i ri në Kosovë ka arsyeshmëri të lartë ekonomike për shkak të çmimit të ulët të prodhimit të bazuar në depozitat e mëdha të linjitit që ka Kosova.
Gazeta Express