Qeveria diskutoi Projektin e Buxhetit për vitin 2007

Prishtinë, 31 tetor 2006 – Në mbledhjen e sotme të veçantë të Qeverisë së Kosovës, nën drejtimin e zëvendëskryeministrit Lutfi Haziri, është diskutuar propozimi i buxhetit për vitin 2007. Ministria e Ekonomisë dhe e Financave ka bërë të ditur se buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm do të jetë rreth 717. 5 milionë euro.

Vlerësimet për shpenzimet në këtë lartësi tejkalojnë nivelin e buxhetit të vitit 2006, për 17 milionë euro, apo 2 për qind. Mirëpo ministri Haki Shatri ka pohuar se këto projeksione të të hyrave dhe shpenzimeve mund të ndryshojnë deri në ditën e miratimit. Ajo që mund të konstatohet është se ka përmirësim në skemën e mbledhjes së të hyrave, që këtë vit e tejkalon për 55 milionë atë të vitit 2006.

Në dokumentin e Projektbuxhetit për vitin e ardhshëm janë dhënë skemat buxhetore lidhur me vlerësimet paraprake për shpenzimet operacionale dhe ato kapitale. Hartuesit e projektbuxhetit kanë pohuar në takimin e sotëm se kanë pasur parasysh projektet prioritare të Qeverisë. Buxheti i vitit 2007, përveç rritjes së investimeve në infrastrukturë dhe shëndetësi, parashikon rritje në shifra edhe në strategjinë 3E: sektori i edukimit, energjisë dhe ekonomisë.

Në takimin e sotëm u tha se do të shqyrtohen vërejtjet dhe plotësimet e propozuara dhe Qeveria pritet të premten (më 3 nëntor) ta miratojë projektin e buxhetit, i cili do t’i kalohet Këshillit Ekonomik Fiskal dhe pastaj sipas ligjit mbi menaxhimin e financave publike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për aprovim.

ECIKS / QIK