Rritje më e vogël e ekonomisë shqiptare

Tiranë, 1 tetor 2004 – Ecuria ekonomike e vendit nuk ka qenë sipas parashikimeve që janë deklaruar nga qeveria apo nga Banka e Shqipërisë dhe të dhënat zyrtare që janë publikuar ditën e djeshme nga Instituti i Statistikës tregojnë se ekonomia e vendit është në rënie. Në raportin e publikuar nga INSTAT, ku janë përfshirë të dhënat për Prodhimin e Brendshëm Bruto për vitet 1996-2002, bëhet e ditur se niveli i treguesit kryesor të ekonomisë ka ardhur gjithmonë në rënie, duke shënuar minimumin që prej vitit 1992 (përjashtojmë vitin 1997). Kështu, shifra e Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin e fundit të raportit të INSTAT është 3.4 për qind. “Me termat e volumit (d.m.th. pa influencat e ndryshimit të çmimeve), PBB shqiptar u rrit me 3.4 për qind në 2002 krahasuar me vitin 2001, rritje kjo më e ulëta gjatë periudhës 1998 – 2002”, -citojnë në raport specialistët e Institutit të Statistikës. Po të shikosh të dhënat e ofruara dje, është e qartë se rritja ekonomike ka ardhur në ulje që prej vitit 1998, duke kapur shifrën “varfëruese” të vitit 2002. Kështu në vitin 1998, INSTAT bën të ditur se rritja ekonomike ka qenë 12.7 për qind, ndërsa një vit më vonë ky tregues është ulur me afro 2.5 për qind duke arritur në 10.1 për qind. Një ecuri e njëjtë është vënë re për dy vitet e tjera në vazhdim, ku gjatë viteve 2000 dhe 2001, PBB ka shënuar normat prej 7.3 e 7.2 për qind, por dhe këto janë tregues jo të mirë pasi vijnë pas normës 10.1 për qind të vitit 1999. Në përgjithësi, treguesi i rritjes ekonomike për vitet që lamë pas ka qenë brenda parashikimeve të deklaruara, duke përjashtuar këtu vitin 2002. Specialistë të ekonomisë, duke parë normat e PBB-së shprehen pesimistë për ecurinë ekonomikë pasi treguesi ka ardhur gjithmonë në rënie. Ata dyshojnë se dhe për dy vitet e fundit do të ketë ndryshime të normës së rritjes ekonomike. Nga ana e kreut të qeverisë, gjatë dy viteve të fundit është deklaruar për një normë prej 6 për qind të rritjes ekonomike, por asgjë nuk është e sigurtë po të shikosh ecurinë sipas shifrave të INSTAT. Në fakt, ky vlerësim paraqet një krizë të rëndë të ekonomisë shqiptare, për arsye se ndonëse rritja ekonomike e vitit 2003 dhe parashikimi i këtij viti është në 6 për qind, asgjë nuk mund të thotë se kjo është e saktë. Shifra e ulët është regjistruar në një vit kur tensionet politike kanë qenë të dukshme dhe ka ndodhur ndryshimi i qeverisë. Gjatë vitit të kaluar, shpenzimet buxhetore, zëri më i rëndësishëm e që jep 30 për qind të PBB-së, u realizuan në masën 89 për qind.

INSTAT

“Gjatë vitit 2002, vlera e produkteve dhe shërbimeve të prodhuara nga ekonomia shqiptare, PBB, arriti në rreth 630 miliardë lekë, e cila është ekuivalente me prodhimin e 203 mijë lekë ose 1.451 dollarë USA për person”, -thuhet në raportin e INSTAT. Specialistët e INSTAT kanë vënë në dukje se sektori më dinamik në strukturën e PBB-së, gjatë këtyre viteve, vazhdon të jetë ai i shërbimeve (tregti, transport e komunikacion, shërbime), aktivitetet e të cilit, si rezultat i ristrukturimit të ekonomisë, gjatë vitit 2002, arritën në 55.6 për qind, nga rreth 52 për qind shënuar në vitin 2000. Kontributin më të rëndësishëm në formimin e PBB-së gjatë vitit 2002 e dha dega “Bujqësi, Pyje, Peshkim” me 26 për qind nga rreth 33 për qind që zinte në vitet 1996-1998, më pas dega “Shërbime të tjera” me 25.8 për qind e ndjekur nga dega “Tregti, Hotele dhe Restorante”. Dega “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim”, ruan pothuaj ecurinë e vitit 2001, me 2.1 për qind. Degët e tjera të ekonomisë shënojnë ritme të ndryshme ndaj vitit 2001, ku përveç transportit dhe tregtisë që paraqiten me ritme më të larta se 2001, degët e tjera të ekonomisë janë nën vlerat e arritura në 2001, përfshirë këtu dhe degën e ndërtimit me 1 për qind, e cila gjatë viteve 1998-2001, paraqitej me ritme të larta rritjeje ndaj viteve respektive përkatëse.

ECIKS / Shekulli