Fushë Kosovë, 1 tetor 2004 – Prej sot banorët e Fushë Kosovës edhe teknikisht u shkëputen nga sistemi telefonik i Serbisë. Te gjitha linjat telefonike të parapaguesve telefonik të Fushë Kosovës, tash e tutje do të realizohen nëpërmjet centralit digjital telefonik të Postë Telekomunikacionit të Kosovës, që është përuruar sot. Ky central telefonik, me 2 mijë numra, që kushtoi 250 mijë euro, paraqet fazën e parë të realizimit të projektit të rindërtimit të objektit të Postës në Fushë Kosovë, që pësoi gjatë trazirave të marsit të sivjetëm.
Drejtori i telefonisë fikse të PTK-së, Besnik Shatri, tha se PTK-ja qysh para 10 ditësh, filloi rinënshkrimin e kontratave me parapaguesit e mëparshëm telefonik të Fushë Kosovës dhe për rinstalimin e linjave të reja:
“Kjo do të thotë se, qysh tashti, mund të flasim për 500 kontrata të ripërtira të konsumatorëve të mëparshëm, si dhe për 500 kërkesa të reja nga komuniteti i biznesit, institucionet dhe qytetarët”.
Faza e parë e rindërtimit të Postës në Fushë Kosovë, e financuar me mjete vetanake, PTK-së i kushtoi 250 mijë euro. Parapaguesit e mëparshëm, për ripërtritjen e kontratave telefonike nuk paguajnë asgjë. Për lidhjen telefonike dhe numrin e ri, personat civilë duhet të paguajnë 172, ndërsa personat fizikë, 344 euro.
ECIKS / Radio Kosova