Rritet konsumi i birrës shqiptare për 58 për qind

Tiranë, 1 tetor 2004 – Prodhimi i birrës në Shqipëri është rritur ndjeshëm në vitin 2003, në krahasim me 2002-in, duke zënë kështu rreth 58 për qind të totalit të birrës së konsumuar në vend. Rritja për këtë periudhë ka qenë 8.5 për qind.

Kjo rritje rezulton po të marrim parasysh importin e maltos, pasi shifrat zyrtare tregojnë se prodhimi i birrës në vend ka pësuar një rënie prej rreth 7 për qind. Prodhimi vendës i birrës për vitin 2003 rezulton nga statistikat zyrtare 14.4 milionë litra, ndërsa për vitin 2002, 15.5 milionë litra. Pra një rënie prej 1.1 milionë litrash ose 7 për qind. Por po të i referohemi importimit të maltos për këto periudha situata përmyset plotësisht. Prodhimi vendës i birrës rezulton për këtë periudhë të ketë një rritje me 20 për qind nga viti 2002 në 2003-in. Të dhënat janë nga Ministria e Bujqësisë. Specialistë të Ministrisë së Bujqësisë shprehin dyshimin mbi nivelin e deklaruar të prodhimit vendës. Prodhimi vendës i birrës mendohet të jetë 2 herë më i madh se sa është deklaruar(14.4 dhe 15.5 milionë litra). Kjo mund të kuptohet po të llogaritet sasia e maltos së importuar për vitet përkatëse dhe sasia e nevojshme e maltos për të prodhuar një litër birrë. Me 1 kilogram malto specialistët mendojnë se prodhohen 5 litra birrë. Në këtë mënyrë, po të shumëzojmë me 5 sasinë e importuar të maltos del sa sa ka qenë prodhimi vendës i birrës për vitin 2002 dhe 2003. Duka patur parasysh se importi i maltos për vitin 2003 ka qenë 7 milionë kilogramë, del se sasia e birrës së prodhuar në vend për këtë periudhë të ketë qenë 35 milionë litra birrë dhe jo 14.4 milionë litra për vitin 2003 siç është deklaruar. Ndërkohë, për vitin 2002 importi i maltos ka qenë 5.6 milionë kilogramë, atëherë prodhimi vendës i birrës ka qenë për këtë vit 28 milionë litra dhe jo 15.5 milionë litra sa rezulton zyrtarisht. Pra, importi i maltos është rritur me 20 për qind për vitin 2003, në krahasim me vitin 2002 dhe po me kaq i bie të jetë rritur edhe prodhimi i birrës. Kjo pasi malto nuk mund të përdoret për destinacion tjetër përveç se për prodhimin e birrës. Numri i subjekteve prodhuese të birrës në vendin tonë llogaritet të jetë 62.

Prodhimi vendës dhe importi

Pesha që zë prodhimi vendës i birrës në totalin e konsumit të birrës ka pësuar ndryshime me prirje rritjeje gjatë viteve të fundit. Vetëm për vitin 2003 prodhimi vendës ka arritur të ketë një rritje prej 20 për qind. Nga 28 në 2002-in në 35 milionë litra në 2003-in. Ndërkohë që rritja në peshën që ka zënë prodhimi vendës në totalin e konsumit të birrës për vitin 2003 në krahasim me 2002-in ka qenë rreth 8.5 për qind. Prodhimi vendës për vitin 2003, që sipas llogarive i bie të ketë qenë 35 milionë litra, ka zënë 57.5 për qind të totalit të konsumit të birrës në vend. Importi për vitin 2003 rezulton të ketë qenë 25.85 milionë litra duke zënë kështu 42.5 për qind të totalit të konsumit të birrës. Pra, për vitin 2003 në Shqipëri janë konsumuar 60.85 milionë litra birrë.

Ndërkohë për vitin 2002 prodhimi vendës rezulton të ketë qenë 28 milionë litra duke zënë kështu 49 për qind të totalit të konsumit vendës. Birra e importuar për këtë periudhë ka qenë rreth 27.85 milionë litra, ose 51 për qind e totalit të birrës së konsumuar për këtë periudhë. Konsumit total i birrës për vitin 2002 del se ka qenë 55.85 milionë litra.

Sa birrë konsumojnë shqiptarët në vit?

Duke patur parasysh se sasia e konsumuar e birrës për vitin 2003 në Shqipëri ka qenë 60.8 milionë litra, po ta pjestojmë këtë sasi me totalin e numrit të popullsisë së vendit prej 3.069 milionë banorësh (sipas INSTAT për vitin 2001) atëherë del se mesatarisht çdo shqiptar konsumon në vit 19.8 litra birrë. Nëse pjesëtojmë këtë sasi me numrin e ditëve të vitit (365) fitojmë rezultatin e konsumit mesatar ditor të birrës në Shqipëri për vitin 2003. Sipas llogaritjes kjo sasi del se është 0.054 litra ose 54 mililitra në ditë. Në Rusi konsumi vjetor i birrës për banor është 51 litra.

ECIKS / Biznesi