Rritet shkëmbimi tregtar në mes të Kosovës dhe Maqedonisë

Ministrat e Ekonomisë të Kosovës dhe Maqedonisë, Besim Beqaj dhe Valon Saraqini ranë dakord të premten në Prishtinë për intensifikim të bashkëpunimit në sektorët e energjisë, turizmit, bujqësisë dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Bashkëbiseduesit theksuan gjithashtu nevojën e dy qeverive të përqëndrohen në përmirësimin e infrastrukturës në mënyrë që të jenë në gjendje të përmbushin kërkesat e komunitetit biznesor.

“Bisedimet u përqëndruan në zgjerimin e marrëdhënieve në fushën ekonomike të përcaktuara në kuadër të marrëveshjes dypalëshe për bashkëpunim ekonomik, e cila është zbatuar që nga qershori 2010. Objektivi është që të përdoren fondet evropiane në një pjesë të projekteve të planifikuara”, tha ministri Saraqini pas takimit.

Për qeverinë e Kosovës, zhvillimi ekonomik përmes aktiviteteve të veçanta në të gjitha sferat është një prioritet.”Infrastruktura dhe energjia janë fushat më të rëndësishme ku ne duam të përfshijmë biznesmenët vendas dhe rajonal përmes krijimit të kushteve të favorshme”, deklaroi ministri kosovar.

Ministrat iu drejtuan edhe forumit biznesor Kosovë-Maqedoni i cili mblodhi rreth 100 kompani nga të dy vendet.

Sot do të mbahet edhe takimi i parë i komitetit për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes dypalëshe për bashkëpunim ekonomik.

Takimi do të përqëndrohet në rindërtimin dhe modernizimin e infrastrukturës rrugore ekzistuese si dhe ndërtimin e një terminali të ri për mallrat që kanë për qëllim lehtësimin e qasjes në tregjet e Kosovës dhe Maqedonisë.