Kosovës i rikthehen preferencat tregtare me BE-në

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë njoftoi se të enjten në Parlamentin Evropian është aprovuar vazhdimi i masës preferenciale tregtare për Kosovën deri në fund të vitit 2015 e që duhet të kishte ndaluar në fund të vitit të kaluar. Këto rregulla me efekt retroaktiv do të zbatohen prej janarit 2011.

“Me këtë hap po i rikthehet e drejta prodhuesit kosovar për të eksportuar në vendet e BE-së pa ngarkesa doganore. Duke marrë parasysh që efekti i kësaj mase është retroaktiv, të gjitha ato kompani të cilat kanë eksportuar në vendet e BE-së në ndërkohë kanë mundësinë që përmes importuesve nga ato vende të bëjnë rimbursimin e fondeve që i kanë paguar për taksën doganore”, u tha me tutje.

Kjo masë do të bëhet funksionale brenda disa javëve, pasi që vendimi i Parlamentit Evropian do t’i kalojë Këshillit të Ministrave, ku do të zyrtarizohet ky vendim me efekt retroaktiv.

/Koha/