Rritet shkalla e papunësisë në Kosovë

Prishtinë, 13 gusht 2004 – Shkalla e papunësisë në Kosovë nga dita në ditë vjen duke u rritur. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenie Sociale në fund të muajit qershor të këtij viti si punëkërkues në Kosovë kanë qenë të regjistruar rreth 294 mijë persona. Duke kërkuar punë më 58 për qind dominojnë personat e pakualifikuar, ndërkaq me kualifikim të lartë janë 0.8 për qind. Nga numri i përgjithshëm i të papunëve 45.6 për qind janë femra. Këshillit konsultativ trepalësh: Ministria e Punës, Oda Ekonomike dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës kohë më parë ia dërguan draftligjin e punës Qeverisë së Kosovës. Në këtë draft-ligj me qëllim të lirimit të vendeve të punës parashihet edhe pensionimi i parakohshëm.

ECIKS / RTK