Prishtinë, 12 gusht 2004 – Në Panairin Ndërkombëtar “MYSIAD” që mbahet në Stamboll ndërmjet datave 16 dhe 19 shtator, prodhuesit kosovarë do të prezentohen përmes katalogjeve dhe broshurave. Kosova për herë të parë do ta ketë stendën e saj, që njëherit mund të shfrytëzohet për afirmim të ekonomisë kosovare, tha Safet Gërxhaliu, nga Departamenti i marrëdhënieve me jashtë në Odën Ekonomike të Kosovës. “Përfaqësues nga Kosova ka, por për shkak të barrierave të transportit përmes Bullgarisë dhe problematikës me të cilën ballafaqohen eksportuesit tonë është e pamundur pjesëmarrja si prezantues- prodhues në këtë panair, mirëpo për herë të parë jemi të pranishëm përmes katalogjeve dhe prospekteve të ndryshme, është shtandi i dedikuar vetëm për Kosovën”.Këtë panair e përcjellë edhe Forumi Ndërkombëtar Biznesor, ku pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, theksoi Gërxhali. “Në këtë forum të biznesit, do të marrin pjesë fytyrat më eminente të ekonomisë botërore, ndërsa nga strukturat politike janë të gjithë përfaqësuesit e nivelit më të lartë politik të vendeve arabe, si dhe nga Evropa, në nivel të ministrave të punëve të jashtme, ose ministrave të ekonomisë. Është një takim tejet me rëndësi” Gjatë muajit shtator me organizim të Odës Ekonomike, prodhuesit kosovarë mund të marrin pjesë edhe në panairet ndërkombëtare që zhvillohen në Francë dhe Kroaci. Sipas Gërxhaliut, në Panairin e Zagrebit pritet të zhvillohet një takim ndërmjet biznesmenëve të të dyja vendeve. Do të mbahet edhe një konferencë për promovimin e investimeve dhe prezentimin real të ekonomisë kosovare. Gërxhaliu potencoi se në Zagreb do të bëjnë propagandë për joshjen e investitorëve kroat gjatë procesit të privatizimit në Kosovë.
ECIKS / Balkanweb