Prishtinë, 25 nëntor 2004 – Fuqizimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë midis Kosovës dhe Shqipërisë ka ndikuar në rritjen e shkallës së këmbimit tregtar midis dy vendeve. Shqipëria, përveç Kosovës, ka të nënshkruar tashmë MTL me të gjitha vendet e rajonit, tha në Prishtinë, Anila Tanku, njëra ndër hartueset e MTL-së me Kosovën, nga pala shqiptare. “Me nënshkrimin e MTL-së me Kosovën e kemi mbyllur ciklin e nënshkrimit të MTL-ve me vendet e rajonit”, tha për gazetën “Biznesi”, Anila Tanku. Sipas saj, MTL-ja me Kosovën vjen si kërkesë për tregti të lirë pa diskriminim dhe e bazuar në rregullat ndërkombëtare në kushtet e rajonit. “Mjaft këmbëngulës në këtë kërkesë është biznesi shqiptar”, thekson ajo. Sipas saj, që nga arritja e MTL-së dhe fuqizimi i saj, shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kosovë kanë shënuar lëvizje pozitive. Eksportet me Kosovën, sipas përfaqësueses së Shqipërisë, kanë arritur vlerën më të lartë të eksporteve me vendet e rajonit në 15,5 milionë dollarë. Produktet më të eksportuara nga Shqipëria në Kosovë, sipas saj, janë giza dhe çeliku me vlerë 2.6 milionë dollarë, pastaj uji mineral me 2.4 milionë dollarë etj.
Ndërkaq, Anila Tanku thotë se mallrat kosovare që janë futur në Shqipëri kanë shënuar rritje disa herë krahasuar me periudhën para tetorit të vitit 2003. “Importet nga Kosova në Shqipëri arrijnë vlerën 11 milionë euro, gati 6 herë më të mëdha se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”, thekson ajo. Produktet më të importuara, sipas saj, janë mjetet e transportit me një volum prej 190 mijë dollarë dhe lëngjet e frutave në vlerë prej 184 mijë dollarë. “Tregtia është në nivele të ulëta sasie, por është mjaft e diversifikuar”, pohon Tanku.
ECIKS / Biznesi