Rriten për 30 për qind çmimet e makinave

Prishtinë, 22 mars 2005 – Janë rritur me së paku 30 për qind çmimet e makinave të prodhura më parë se janari i vitit 1997, pasi këto makina nuk do të mund të importohen më në Kosovë. Dje ka kaluar afati përfundimtar i vendosur nga qeveria e Kosovës për importimin e makinave të prodhuara në këtë datë, ndërkaq automatikisht është hequr akciza prej 20 për qind për makinat më të reja se ky vit, me qëllim
stimulimin për blerjen e makinave të reja.

Ky vendim që ka hyrë në fuqi dje, ishte paralajmëruar që nga fillimi i janarit. Kjo periudhë tremujore u ka shërbyer njerëzve që të zhdoganojnë jashtëzakonisht shumë makina ditët e fundit. Sipas shifrave të Shërbimit Doganor të UNMIK-ut, vetëm javën e fundit janë zhdoganuar më shumë se 3 mijë makina dhe përfitimi i buxhetit të Kosovës prej këtyre zhdoganimeve është më i madh se 5 milionë euro.

Për të zhdoganuar një makinë në Kosovë, deri më tani është paguar 45 për qind e shumës së automjetit, plus akcizën lineare prej 500 euro. 10 për qind ishte dogana, 15 për qind TVSH, 20 për qind akcizë dhe 500 euro akcizë fikse, pavarisht nga marka e automjetit dhe çmimi i saj. “Me rritjen e çmimit, njerëzit nuk do të mund të blejnë makina të reja kështu që do të riparojnë makinat e vjetra”, pohoi një shitës automjetesh në tregun e makinave të Prishtinës.
Ndërkohë që Agon Veliu, një tregtar tjetër në tregun prishtinas të automjeteve, shprehet se “është vënë re një rritje prej minimalisht 30 për qind e çmimeve. Deri para disa kohësh një makinë e mirë mund të blihej me 1 500 euro, ndërkohë që tani, për të blerë të njëjtën makinë duhen të paktën 2 000 deri 2 500 euro.

Megjithëse shumë makina janë zhdoganuar, mjaft të tjera qarkullojnë me targa të shteteve te huaja, ose pa targa fare. Shërbimi Policor i Kosovës ka njoftuar se do të marrë masa për të konfiskuar të gjitha automjetet pa targa.
Nga heqja e akcizës prej 20 për qind, buxheti i Kosovës pritet të humbasë 12 milionë euro, ndërsa këto para parashikohen të kompensohen nëpërmjet taksës prej 40 euro që do të paguajë çdo shofer i automjeteve çdo vit.

ECIKS / Biznesi