Fillojnë kërkimet për pasuritë nëntokësore të Kosovës

Prishtinë, 19 mars 2004 – Pas një vakuumi disavjeçar, më në fund kompanitë ndërkombëtare kanë zbritur në Kosovë për të nisur kërkimet për pasuritë nëntokësore në këtë vend.
“Dy kompani të mëdha amerikane dhe një kanadeze pritet të arrijnë shpejt në Kosovë për të filluar kërkimet rreth pasurive nëntokësore të Kosovës dhe mundësinë e investimit këtu”, tha në një konferencë për shtyp Rainer Hengstman, drejtor i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Ai pohoi se nuk mund të bënte publikë emrat e kompanive amerikane sepse janë konkurrente njëra me tjetrën dhe, sipas tij, njëra kompani tashmë është regjistruar këtu, ndërsa tjetra do të mbërrijë javën e ardhme. Këto kompani do të regjistrohen këtu dhe sapo të marrin lejen do të nisin kërkimet rreth pasurive nëntokësore”, tha ai. Sipas Hengstman, edhe një kompani tjetër kanadeze ka shprehur të njëjtin interes. Hengstman tha se kompanitë shikojnë mundësinë e investimit për një periudhë afatgjatë 30 deri 40 vjet, dhe, sipas tij, zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës e bënë më të lehtë investimin dhe është një përparësi më e madhe.

Sipas tij, në Kosovë nuk janë studiuar aq sa duhet potencialet minerare duke shtuar se mund të ketë pasur të tilla kërkime, por që informatat kanë humbur apo janë klasifikuar nga armata ish-jugosllave si sekrete me rëndësi të veçantë ushtarake.

ECIKS / Biznesi