Rrezikohet edhe ndërtimi i naftësjellësit Shqipëri-Bullgari

ROMË, 09 SHTATOR 2003 – Rrezikohet edhe naftësjellësi Burgaz-Vlorë. Gazetat italiane pohojnë se rreziku që i kanoset projektit të Korridorit Paneuropian nr.8 Shqipëri-Maqedoni-Bullgari, mund të përfshijë edhe naftësjellësin Burgaz-Vlorë. Ky naftësjellës përfshihet në Korridorin Paneuropian, i cili akoma nuk i ka marrë financimet e duhura, edhe pse ato janë gjetur pairmisht.

Sipas projektit të bërë nga kompania amerikane “AMBO” brenda gjysmës së dytë të vitit 2006, nëse gjithçka do të shkojë mirë, ky naftësjellës do të përfundojë. Naftësjellësi AMBO do të kalojë nga Bullgaria, në Maqedoni dhe më pas do të përfundojë në Shqipëri, duke u bërë pjesë e infrastrukturës së Korridorit të Tetë Europian, lindje-perëndim, ku janë të përfshira autostrada, hekurudha, naftësjellës dhe telekomunikacionet.

Nëse ky projekt realizohet, Shqipëria pritet të përfitojë rreth 40-45 milionë dollarë në vit nga tranzitimi i naftësjellësit Burgas-Vlorë. Por jo vetëm kaq. Shqipëria do të ketë edhe përfitime tjera në rast të realizimit të këtij projekti që deri para pak ditësh dukej i sigurt.

ECIKS / Shekulli