BRUKSEL, 09 SHTATOR 2003 – Bashkimi Europian përjashton Korridorin e 8-të nga lista e financimeve. Sipas komisionerit europian Van Miert, projekti i Korridorit të 8-të nuk figuron në listën e objekteve për financim të paktën deri në vitin 2020. Sipas këtij raporti, korridori Shqipëri-Maqedoni-Bullgari nuk është një nga prioritetet e Bashkimit Europian (BE), sepse financimet e këtyre shteteve do të shkojnë për projekte të tjera më të rëndësishme. Por hapi i radhës do të ngelet në duart e Italisë, e cila do të vendosë përfundimisht nëse Korridori 8 do të jetë një nga prioritetet e Bashkimit Europian ose jo. Përndryshe Shqipërisë dhe dy vendeve të tjera të rajonint do t’u duhet të presin rreth 17 vjet të tjera për të marrë financime të plota për ndërtimin e këtij korridori ballkanik. Alarmi për braktisjen e financimit të këtij korridori nga Bashkimi Europian e kanë dhënë disa gazeta italiane, sipas të cilave Korridori Paneuropian që përshkon Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bullgarinë, nuk figuron në listën e financimeve të Bashkimit Europian. Sipas gazetës italiane “La Gazzetta del Mezzogiorno”, përveç rrezikut që i kanoset Korridorit të Tetë, ky rrezik mund të përfishijë edhe naftësjellësin transballkanik Burgas-Vlorë.
Kostoja e projektit
Një nga projektet më të rëndësishme të vendit tonë rrezikohet që të mos zbatohet, të paktën deri në vitin 2020, pra pas 17 vjetësh. Qeveria shqiptare e ka shpallur këtë projekt si prioritet kombëtar, por Bashkimi Europian, me sa duket, kërkon që të mos e financojë më. Sipas gazetës italiane “La Gazzetta del Mezzogiorno”, për Korridorin Paneuropian duhen dhjetëra miliardë euro për të ndërtuar infrastrukturën, rrugët, tunelet dhe urat, sidomos në pjesën maqedonase të këtij korridori. Përveç disa investimeve që janë bërë në Shqipëri, rrugën Tiran-Durrës me 4 korse dhe pjesën tjetër me dy korsi në Maqedoni është bërë shumë pak. Kështu, korridori që pritej t’i sillte shumë përfitime vendit tonë, duhet të presë edhe për shumë vjet, sepse nëse miratohet vërtet mosmiratimi i financimeve nga Bashkimi Europian, ky projekt do të diskutohet sërish vetëm pas 17 vjetësh.
Pse bllokohen financimet
Raporti i komisionerit Van Miert akuzon Greqinë për bllokimin e fondeve për financimi i Korridorit të Tetë. Sipas këtij raporti, Greqia gjatë presidencës së radhës së Bashkimit Europian ka sabotuar qëllimisht projektin për të favorizuar korridorin 10, që kalon në vendin e saj. Gazeta italiane pohon se projekti që përjashton Korridorin e 8-të nga lista e financimeve të viteve të ardhshme është projektuar që në janar të vitit 2003, kur Greqia mbante presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Kështu, gazetat italiane fajësojnë për dështimin e financimeve të Korridorit 8 pikërisht këtë vend. Por ato nuk përjashtojnë faktin se financimi i këtij projekti është është lënë jashtë edhe për faktin se është shumë i kushtueshëm.
Anëtarësimi në BE
Shqipërisë do t’i duhen edhe shumë vite që të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Përndryshe projekti i Korridorit të 8-të nuk do të ishte lënë mënjanë. Në raportin Van Miert citohet se një arsye tjetër për shtyrjen e financimeve për Korridorin e 8-të është se vendet ku kalon ky korridor nuk kanë ndonjë perspektivë të afërt për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
ECIKS / Shekulli