BRIONE, 9 SHTATOR 2003 – Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi në dytën të Samitit të IV të Forumit Ekonomik Evropian Veri-Jug, ka folur dje para pjesëmarrësve. Fillimisht kryeministri tha se Ballkani Përendimor ka nevojë për të hyrë në fazën e zhvillimeve rajonale, të cilat çojnë drejt integrimeve në institucionet euroatlantike.
“Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë për stabilizimin e rajonit dhe të përgatitemi që përmes identitetit tonë të integrohemi në mekanizmat dhe institucionet evropiane. Por, edhe BE dhe SHBA duhet të mbeten të angazhuara në Ballkan për të siguruar stabilitet, për të kontribuar në zhvillimin ekonomik, për të tejkaluar krimin e organizuar sepse nuk mund të tolerohen kriza të reja në rajon,”- tha Bajram Rexhepi.
Duke u ndalur rreth raporteve midis administratës ndërkombëtare dhe institucioneve vendore, kryeministri Rexhepi theksoi se “qeveria e Kosovës angazhohet për partneritet me UNMIK-un në qeverisjen e Kosovës. Po kështu, qeveria po merr hapa konkrete në krijimin e kapaciteteve administrative në Kosovë, respektivisht në transferimin e kompetencave nga institucionet ndërkombëtare te ato vendore.
Në parim përkrahim Standardet para statusit, por jemi në favor të përcaktimit të mekanizmave matës për këto standarde. Paraqitet nevoja për ndërrimin e formulës së Standardeve para Statusit në sistemin e zhvillimeve paralele “Standardet me Statusin,”- tha kryeministri.
Në vazhdim kryeministri Bajram Rexhepi, duke folur për zhvillimet politike dhe ekonomike në Kosovë, theksoi se Qeveria e Kosovës ka pranuar pothuaj të gjitha konventat ndërkombëtare, të cilat garantojnë zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut.
ECIKS / Balkanweb