Ritme të shpejta ndërtimi në autostradën Durrës-Kukës

TIRANË, 16 shtator 2007 – Pavarësisht debateve të nxehta, që kulmuan së fundmi me nisjen e hetimeve, punimet për rrugën Durrës-Kukës po ecin me ritme të shpejta. Kamera e “Top Channel” ka përshkruar të gjithë gjurmën mbi të cilën po kryhet investimi më i madh i të gjitha kohëve në vend, ku makineritë e konsorciumit “Bechtel-Enka” punojnë thuajse pa pushim, e favorizuar kjo dhe nga moti i mirë që po mban. “Vetëm për muajin gusht fatura financiare për volumin e kryer të punëve llogaritet në rreth 20 milionë euro. Kjo tregon qartë ritmin e lartë të punimeve në terren. Madje, siç duket fare qartë, terreni ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore krahasuar me vetëm 3 muaj më parë”, tha ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi. Qeveria ka parashikuar ta përfundojë këtë rrugë brenda vitit 2009, por ky afat vihet në pikëpyetje nga pjesa më e vështirë e rrugës, tunelit Thirrë-Kalimash, i cili mendohet të kushtojë plot 400 milionë euro. Ky tunel do të jetë rreth 5.7 kilometra i gjatë, duke rezultuar kështu më i madhi në Ballkan. Por punimet për ndërtimin e tij ecin me ritme të ngadalta për shkak të terrenit shumë të vështirë. Për tre muaj, ndonëse po punojnë nga të dyja anët, dy firmat që kanë marrë përsipër ndërtimin e tij nuk kanë mundur të ndërtojnë më shumë se 450 metra tunel në tre muaj që janë duke punuar aty.

“Gjithçka varet nga shkëmbi që do të hasim. Nëse në thellësi të malit do të gjejmë një terren më të përshtatshëm, atëherë mund të avancojmë edhe më shumë, gati shtatë ose tetë metra në ditë. Por nëse terreni do të vazhdojë të jetë kështu, i vështirë si në fillim, atëherë do të mbetemi në këto ritme, me katër metra në ditë, çka do të kërkonte më shumë se 700 ditë për përfundimin e tunelit”, tha Chris Dixon, kryeinxhinier i tunelit. Rruga Durrës – Kukës shkurton distancën mes Durrësit dhe Prishtinës, duke e bërë të mundur udhëtimin nga bregdeti i Shqipërisë në kryeqytetin e Kosovës brenda një kohe jo më të gjatë se dy orë e gjysmë.

ECIKS