Riinvest: "Procesi i privatizimit jo mjaft transparent"

Prishtinë, 30 shtator 2004 – Procesi i privatizimit i udhëhequr nga AKM-ja deri më tash nuk ka qenë sa duhet transparent, kanë vlerësuar përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, të BSPK-së dhe pjesëmarrës të tjerë. Në një tryezë të organizuar nga instituti për hulumtime zhvillimore “Riinvest” me temën: “Monitorimi dhe transparenca e procesit të privatizimit”, pjesëmarrësit kërkuan njëzërit që ky proces të zhvillohet me transparencë të plotë në të ardhmen.
“Ne duhet ta mbështesim vazhdimin e procesit në mënyrë sa më efektive”, ka thënë shefi i “Riinvestit”, Muhamet Mustafa, duke shtuar se duhet të bëhen përpjekje të reja për të avancuar këtë proces.

Edhe USAID-i e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë procesin e privatizimi ngase pa këtë proces nuk mund të ketë zhvillim ekonomik në Kosovë, tha përfaqësuesja e USAID-it Sheron Hefter. Sipas saj, korniza ligjore dhe skema e privatizimit janë rezultat i një koncensusi ndërmjet palëve të interesit dhe ajo beson se ishte një kornizë mjaft e mirë.

Ndërkaq përfaqësuesi i BSPK-së Ali Dragusha ka theksuar disa vërejtje në lidhje me mosrespektimin e të drejtave të punëtorëve gjatë procesit të privatizimit të ndërmarrjeve, duke shprehur dyshimin se, përkundër sinjaleve pozitive, rrethi i katërt sërish po zvarritet.

Diskutuesit shtruan si domosdoshmëri që AKM-ja t’i bartë kompetencat te Qeveria e Kosovës si dhe ndërkohë Parlamenti i Kosovës të plotësojë vakumin ligjor që është bërë pengesë e privatizimit në vendin tonë.

ECIKS / QIK