Rifillon procesi i privatizimit në Kosovë

PRISHTINË, 24 TETOR 2003 – Pas bojkotit që anëtarët kosovarë i bënë dy mbledhjeve të bordit të AKM-së, në mbledhjen e së mërkurës, me pjesmarrjen kosovare, u vendos që procesi i privatizimit të rifillojë brenda një jave.

Pas një mbledhje të gjatë e me diskutime të ashpra, si dhe me insistimin e anëtarëve kosovarë të bordit që të caktohet një datë për rifillimin e procesit të privatizimit, është vendosur që procesi i ndërprerë nga shtylla e IV e UNMIK-ut për shkak të padive të ngritura kundër AKM-së në një gjykatë Amerikane, të vazhdohet brenda një jave.

Dy fazat e përfunduara të procesit të privatizimit në Kosovë nuk do të përsëriten. Do të përsëritet vetëm faza aktuale, që është faza e tretë.

Procesi i privatizimit në Kosovë ishte ndërprerë ditë më heret nga shefi i shtyllës së IV të UNMIK-ut, gjermani Nikolaus Lambsdorff, pas një padie të ngritur kundër AKM-së në një gjykatë Amerikane, dhe pas konstatimit se AKM-ja dhe udhëheqësit e saj nuk kanë imunitet jashtë Kosovës.

Qëndrimi i kosovarëve, që nga ndërprerja e procesit, ka qenë se në rast të padive të mundshme kundër AKM-së nuk duhet të ndërpritet procesi e të kërkohet imunitet nga OKB-ja, por të vazhdohet privatizimi e të përgatiten argumente kundër padive.

Duket se frika e stafit udhëheqës ndërkombëtar prej padive ndaj tyre ka sjellur ndërprerjen e përkohshme të procesit, pa marrë parasysh fare interesat e Kosovës dhe pa njoftuar anëtarët kosovarë të bordit të AKM-së. Mirret vesh se në mbledhjen e fundit të bordit, Nikolaus Lambsdorff u ka kërkuar falje anëtarëve kosovarë.

ECIKS