Kosovë: Bojkot mallrave sllovene !?

PRISHTINË, 24 TETOR 2003 – Marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës dhe Sllovenisë kanë pasuar lëkundje, pas arrestimit të Komandantit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, Agim Çekut. Vetëm 24 orë më vonë, si edhe pas thirrjes së protestuesve për bojkot, qarkullimi i mallrave me origjinë ka pësuar rënie. Kjo ndihet sidomos në shitjen e birrave.

„Do t’i bojkotoj të gjitha mallrat nga Sllovenia për të cilat ka zëvendësim. Nuk kemi pse blejmë mallra nga ky vend. E patë çfarë na bënë sllovenët“, tha Faik Abdullahu nga Prishtina.

Të mërkurën rreth mesnatës, protestues që ishin mbledhur spontanisht për të kundërshtuar arrestimin e gjeneral Çekut, kanë thyer shishe të birrave, të lëngjeve dhe të disa produkteve të tjera me origjinë tüe këtij vendi.

„Nuk kemi vërejtur ndonjë rënje të shitjes së qumshtit ‚Alpsko’ nga Sllovenia, por birrat nuk na janë shitur fare. Ditëve të tjera zakonisht shesim shumë birra ‚Lashko’ dhe ‚Union’, por sot nuk kemi shitur as edhe një“, tha një shitëse në supermarketin „Dragastor“ në Prishtinë, rreth orës katër pasdite. Sllovenia, ka eksporte të konsiderueshme në Kosovë. Shifrat e njësitit makroekonomik në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave flasin se sllovenët gjatë vitit 2002 në Kosovë kanë eksportuar mallra nüe vlerë prej 70 milionë euro. Kurse gjatë vitit 2003, deri në muajin e tetë eksportet e këtij shteti në drejtim të Kosovës kanë qenë 33 milionë euro.

Vetëm nga qumështi, pa produktet e tjera të tij, Sllovenia ka marrë nga Kosova më shumë se dy milionë euro. Nga makinat e larjes 1.5 milionë euro, nga lëngjet 1.9 milionë euro, etj.

A do të ketë vërtetë bojkot të mallrave sllovene në Kosovë?

Përfaqësuesi i kompanisë „Droga“ në Kosovë, e njohur me prodhimin e pashtetës “Argeta”, Fatmir Krasniqi, tha se në shenjë proteste ndaj veprimit tüe policisë sllovene, ka ndërprerë sot punën. „Sot nuk i kam lejuar agjentët e kompanisë të dalin në terren dhe për këtë kam njoftuar selinë qendrore në Slloveni. Kemi bërë gati një peticion të gjitha kompanitë që përfaqësojnë firmat sllovene dhe i kemi dërguar Odës Ekonomike të Sllovenisë. Do të protestojmë edhe në qeverinë e Sllovenisë”, tha z. Krasniqi.

Ai tha se duhet ushtruar ndikim në mënyrë që sllovenët të njohin realitetin, ndërsa nëse bëhet bojkoti, sipas tij, njësoj duhet vepruar edhe me mallrat serbe.

Zëvendësdrejtori i KassaBank, Milazim Krasniqi, bankë në të cilën aksionarë janë edhe sllovenët u shpreh se ky veprim do të ketë pasoja në marrdhëniet ekonomike të dy vendeve.

„Sigurisht që do të ketë pasoja. Veprimi i policisë sllovene ishte një rast i shëmtuar edhe për aksionarët dhe udhëheqjen sllovene. Edhe sllovenët janë kundër një akti të tillë”, tha zëvendësdrejtori Milazim Krasniqi.

Për ndikim të keq në marrdhëniet ekonomike në mes të Kosovës dhe Sllovenisëka folur edhe Hazbi Hasani, pronar i supermarketit “Oaza” dhe përfaqësues i qumshtit slloven “Alpsko”.

”Normalisht që do të ketë ndikim të keq. Rreth 30 për qind e mallrave që importon Kosova, vijnë nga Sllovenia. Në shenjë revolte për këtë veprim sot nuk i kam kaluar maunet me qumshtë, por i kam lënë në kufi. Do të protestoj edhe në qeverinë sllovene”, tha z. Hasani.

Bojkoti për mallrat sllovene nuk pritet të ketë sukses për shkak se ka katër vjet që flitet për bojkot të mallrave serbe, por kjo nuk ndodhë.

ECIKS / Koha Ditore