Rezerva valutore arrin në 908 milionë USD

Rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë pritet të arrijë në fund të këtij viti në 908,5 milionë dollarë, nga 839 milionë dollarë që ishte në fund të vitit 2002. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në tremujorin e parë të këtij viti, niveli i rezervës u rrit me 57 milionë dollarë, rritje që vlerësohet rreth 8 herë më e madhe se ajo e të njëjtit tremujor të një viti më parë. Sipas autoritetit qendror bankar arsyet që çuan në këtë rritje kanë qenë thellimi i mëtejshëm i zhvlerësimit të dollarit amerikan në tremujorin e parë të këtij viti dhe ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë nëpërmjet blerjes së valutës së huaj në treg për të penguar forcimin e mëtejshëm të monedhës vendase, lekut. Sipas kësaj logjike, Banka e Shqipërisë mësohet të ketë zhvendosur depozitimin e rezervës valutore nga dollarë amerikanë në mjetë të tjera për të shmangur në këtë mënyrë rriskun prej uljes së vlerës së dollarit. Kështu krijimi i një rezerve monetare të barabartë më gati 1 miliardë dollarë është e mjaftueshmë për përballimin e 5,3 muaj importe në ekonominë vendase. Disa ekonomistë të opozitës kanë kritikuar Bankën e Shqipërisë që nuk po e përdor një pjesë të rezervës valutore për rimëkëmbjen e ekonomisë, pasi niveli i saj i kaluar tashmë caqet për përballimin e nevojave të emergjencës që mund të shfaqen. Madje arritja e saj gati në një vlerë me borxhin e jashtëm, pritet të rendisë Shqipërinë vitet e ardhshme në një vend që do të kreditohet nga organizatat financiare ndërkombëtare me kushte të tregut. Ndërsa, objektivi i Bankës së Shqipërisë në lidhje me administrimin e rezërves valutore mbetet rritja e nivelit të saj, duke siguruar një rrezik të ulët në investim. Për të arritur këtë BSH ka planifikuar të rrisë numrin e bankave ku është depozituar kjo rezervë. Në funksion të administrimit të rezervës valutore vitin që shkoi është ngritur në Bankën e Shqipërisë një komitet i posaçëm me specialistë, të cilët sygjerojnë mënyrat dhe format e investimit të rezërvës. Komiteti mblidhet një herë në muaj me qëllim analizimin dhe shqyrtimin e informacionit lidhur me tregjet e këmbimit. Rezervat bruto të autoritetit monetar në fund të vitit 2002 arritën në 839 milionë dollarë nga 737 milionë që ishin vitin paradhës. Rritja e rezevës valutore në katër vitet e fundit ka vjiuar me gati 100 milionë dollarë në vit. Kjo për shkak të arkëtimeve që u bënë këto vite nga privatizimi i kompanisë shtetërore të celularëve, shitja e liçensës së dytë celulare dhe shitja e disa ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Rezerva valutore është ndër mjetet me të rëndësishme financiare të Bankës së Shqipërisë për ushtrimin e politikave monetare.

ECIKS / KORRIERI