Rexhepi: Japonia vazhdon kontributin në Kosovë

Prishtinë, 21 janar 2004 – Japonia është ndër kontribuesit më të mëdhenj në fazën e rindërtimin të Kosovës. Kjo ka qenë deklarata e kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, pas takimit që pati me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Japonisë, Ichiro Fujisaki. Kryeministri ka thekuar se Japonia ka realizuar një numër të madh të projekteve në infrastrukturë, sidomos në rrjetin e energjetikës, në rehabilitimin e një numri të madh të shkollave dhe të institucioneve shëndetësore. “Është një kontribues shumë i madh, jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjitha ato shtete që kanë nevojë për ndihmë”, tha kryeministri Rexhepi. Ai në emër të Qeverisë së Kosovës, falënderoi Japoninë për kontributin e madh dhënë Kosovës. “Kosova është çelësi kryesor i elementit për paqe, stabilitet, dhe zhvillim në Evropën Juglindore. Ne jemi shumë të kënaqur që paqja, stabiliteti dhe zhvillimi po vazhdon edhe më tutje në këtë vend”, tha Fujiaski.

ECIKS/Balkanweb