Prishtinë, 20 janar 2004 – Legjislacioni për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë është i përkryer. Për këtë ekziston mbështetja e OKB-së, blerësit e ndërmarrjeve shoqërore janë seriozë, por problemi i vetëm për vazhdimin e privatizimit në Kosovë janë dy drejtuesit e tij, gjermani Nikolaus Lambsdorff dhe italiania Mari Fucci, të cilët për gjashtë muaj po mbajnë peng privatizimin dhe nuk po kuptojnë punën e tyre, thotë për “Biznesin” Henry Perritt, profesor i së drejtës në Institutin amerikan të Ilinoisit.
Henry Perritt, profesor i së drejtës në Institutin e Ilinoisit për Teknologji, ka punuar në disa projekte për Kosovën. Ai tha se privatizimi në Kosovë ka filluar me shumë sukses verën e kaluar, por që nga ardhja e ambasadorit evropian Nikolaus Lambsdorff në krye të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), e cila udhëheq me procesin e privatizimit, dhe njëkohësisht shef i Shtyllës IV të UNMIK-ut, dhe drejtoreshës menaxhuese të AKM-së, Mari Fucci, suksesin e privatizimit e shndërruan në dështim.
“Pasi u shqyrtuan të gjitha çështjet nga ekspertët ligjorë të Kombeve të Bashkuara u krijua korniza shumë e mirë ligjore, u shpallën tenderat e parë për privatizim, u siguruan 34 milionë euro investime, në krye të AKM-së vijnë Nikolaus Lambsdorff dhe Mari Fucci dhe për gjashtë muajt e fundit asgjë nuk ka ndodhur”, shprehet profesori Perritt, i cili ka punuar në disa studime të organizatave ndërkombëtare për Kosovën.
“Ne kemi premtime dhe prova të mëdha se privatizimi mund të jetë i suksesshëm, ajo që mungon tani është që udhëheqja të vendosë që procesi të shkojë përpara. Por dy drejtuesit e AKM-së nuk kanë ofruar kreativitet të udhëheqësve për ta çuar procesin përpara”, thotë Perritt.
Perritt, i cili ka punuar edhe në administratën e ish-presidentit amerikan Gerald Ford, me një përvojë dhjetëravjeçare në të drejtën ekonomike, thekson se baza juridike për privatizimin është shumë e mirë dhe “secili që di diçka rreth privatizimit dhe organizimit të ndërmarrjeve, e kupton se privatizimi mund të vazhdohet pa asnjë pengesë”.
Alibitë për bllokimin e privatizimit
Privatizimi në Kosovë juridikisht nuk është i bllokuar, por në fakt ai nuk është duke vazhduar për shkak të neglizhencës së drejtuesve të procesit.
Deri më tani vetëm një ndërmarrje është privatizuar pas ndërprerjes që iu bë këtij procesi më 6 tetor nga ana e Nikolaus Lambsdorffit me arsyetimin se baza ligjore për privatizimin është e paqartë dhe se nevojitet imuniteti për personelin e AKM-së.
Profesori amerikan i së drejtës nuk pajtohet me këto konstatime. “Kjo është njësoj sikur një thënie popullore në Amerikë, kur njerëzit pretendojnë një problem që në fakt nuk ekziston”, thekson ai.
Ai konstaton se Rregullorja 2002/12 që është bazë ligjore për AKM-në dhe Rregullorja 2002/30 i japin asaj në mënyrë të qartë kompetencat për privatizim.
“Për çdo ditë vonesë të këtij procesi vlera e ndërmarrjeve shoqërore do të ulet. Çdo ditë vonesë do të thotë një investitor më pak i interesuar që të investojë në Kosovë”, tha ai.
Perrit e quan të paarsyeshëm edhe riorganizimin e personelit të AKM-së, sipas së cilit menaxherët e USAID-it dhe ata vendës janë vendosur në pozita periferike dhe të parëndësishme.
“Nëse kemi një personel të mirë, unë nuk e di pse drejtuesit duhet t’i injorojnë ata. Ata njerëz verën e kaluar filluan privatizimin dhe bënë punët më të suksesshme në ekonominë e Kosovës dhe për ç’arsye të vijë dikush dhe të bllokojë gjithë këtë punë? Kjo është joracionale për mua”, thotë ai.
Sipas tij, mënyra më e mirë e veprimit do të ishte vazhdimi i privatizimit që nesër, ndërsa të gjitha kontestet, pakënaqësitë dhe paditë t’i lihen Gjykatës Supreme të Kosovës. “Ajo që mungon në procesin e privatizimit është që Bordi i AKM-së të mbajë premtimin për nënshkrimin e 17 kontratave të fituesve të tenderëve”.
Ai tha se puna e Lambsdorffit dhe Fucci-t është që të vazhdohet me privatizimin, “të cilët gjashtë muajt e fundit kanë arritur rezultate zero”.
Profesori Perritt ka qenë në Kosovë para dhe pas luftës me organizata ndërkombëtare që janë marrë posaçërisht me çështje ekonomike. Perritt ka punuar në dhjetëra ligje ekonomike në SHBA që kanë të bëjnë me teknologjinë, punësimin dhe çështjet ndërkombëtare.
ECIKS / Biznesi