Fucci i kërcënohet Kryeministrit Rexhepi

Prishtinë, 20 janar 2004 – Në letrën e Kryeministrit Rexhepi, dërguar shefit të UNMIK-ut Hari Holkeri më datën 1 dhjetor të vitit të kaluar, Kryeministri ka shprehur brengat e tij, për ndërprerjen e procesit të privatizimit dhe emërimin e drejtoreshës së AKM-së nga udhëheqësi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut pa konsultuar Qeverinë e Kosovës. Sipas Kryeministrit drejtoresha e AKM-së ka konflikte serioze të interesit në fushën e privatizimit dhe nuk mund të marrë vendime në emër të AKM-së.
Ai gjthashtu e ka akuzuar Maria Fuccin për lidhje me kompanitë në Serbi dhe Republikën Serbe.

“Drejtori menaxhues mundet t’i mbrojë ose interesat e atyre kompanive në Serbi dhe Republikën Serbe, ose do t’i mbrojë interesat e ndërmarrjeve në Kosovë, mirëpo jo që të dyjave, meqë ato janë reciprokisht përjashtuese”, thuhet ndër të tjera në letrën e Kryeministrit dërguar Holkerit më 1 dhjetor të vitit të kaluar.

Drejtoresha e AKM-së Mari Fucci ka mohuar të gjitha këto akuza. Ajo në letrën dërguar shefit të Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut Nicolaus Lambsdorf, ka shpjeguar rreth angazhimeve të saj të deritashme në detyra të ndryshme që kishin të bënin me privatizimin në Bosnjë dhe Republikën Serbe që prej vitit 1997. Ajo gjithashtu ka sqaruar edhe për emërimin e saj në krye të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, që sipas saj anëtarët e Bordit të AKM-së i ushtrojnë të drejtat dhe obligimet e tyre ashtu si është paraparë në rregullore. “Akuzat shpifëse dhe falco të Kryeministrit kundër meje, seriozisht e pengojnë aftësinë time që t’i kryej përgjegjësitë e mia të tashme duke e rrezikuar kredibilitetin tim në publikun kosovar. Po që se këto akuza shpifëse vazhdojnë, unë nuk do të kem zgjedhje tjetër pos që ta vazhdoj çështjen në gjyq. Do të dëshiroja po ashtu ta këshilloj zotëri Rexhepin se poqëse nxitem ta marr këtë lloj veprimi aktakuzën time nuk do ta kufizoj vetëm në gjykatat kosovare”, thuhet në fund të letrës së drejtoreshës së AKM-së Mari Fucci, drejtuar shefit të Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut Nikolaus Lambsdorf, më 21 dhjetor të vitit të kaluar.

ECIKS / RTKLive