Rexhepi akuzon ashpër UNMIK-un për korrupsion

PRISHTINË, 21 TETOR 2003 – Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, në një intervistë dhënë për të përjavshmen britanike “The Observer,” akuzoi ashpër UNMIK-un për pengimin e zhvillimit të Kosovës, për korrupsion, por edhe për tolerimin e prostitucionit.

“Pa plane, pa afate politike, apo pa ndjenjën e zgjidhjes së statusit të tyre të paqartë ndërkombëtar si një etnitet joshtetëror, kosovarët po humbin shpejt shpresën,” tha Rexhepi.

Kreu i Qeverisë u shpreh edhe për demonstratën e 14 tetorit: “Nëse UNMIK-u vazhdon t’i injorojë nevojat tona, nëse vazhdon të refuzojë transferimin e më shumë pushteti në duart tona, atëherë ndërkombëtarët këtu do të ballafaqohen me demonstrata të mëdha dhe të gjithë do të bërtasin “UNMIK shko në shtëpi!,” tha Rexhepi.

Ai akuzoi në vazhdim ashpër UNMIK-un sidomos për korrupsion, duke thënë se ndihet i turpëruar para qytetarëve, sepse dyshon se një pjesë e madhe e fondeve të keqtrajtuara janë para të mbledhura nga tatimi që paguajnë kosovarët.

Kreu i Qeverisë akuzoi UNMIK-un edhe për tolerimin e prostitucionit, pasi siç tha ai, janë shumë ndërkombëtarë, të cilët janë të përfshirë në trafikun e femrave.

ECIKS