Rehn: Kosova në rrugë të drejtë të zhvillimit ekonomik

Komisionari i Bashkimit Evropian për Ekonomi dhe Politika Monetare, Olli Rehn, gjatë një takimi në Bruksel me ministrin kosovar të Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka shprehur mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Komisionari Rehn tha se Kosova është në rrugë të drejtë të zhvillimit ekonomik.

“Dëshiroj të theksoj se Komisioni Evropian mbetet i përkushtuar për të ndihmuar zhvillimin social-ekonomik të Kosovës”, tha Rehn.

Ministri Shala ka thënë se Qeveria e Kosovës me kujdes harton projekte për shpenzimin e mjeteve që vijnë nga bashkësia ndërkombëtare dhe se i ka të qarta prioritetet për zhvillim ekonomik.

Shala tha se Kosova është afër anëtarësimit në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ai tha se është optimist se Kosova do të mund të marrë votat e nevojshme që të jetë pjesë e këtij institucioni shumë të rëndësishëm.

ECIKS