Raiffeisen Bank “gëlltit” Bankën Amerikane të Kosovës

PRISHTINË, 31 KORRIK 2003 – Dega e Raiffeisen Bank në Kosovë ka bërë të ditur të martën në Prishtinë se në bazë të marrëveshjes së nënshkruar më 25 korrik të këtij viti, banka austriake “Raiffeisen Internatitonal Beteligungs AG” ka blerë edhe 24 për qind të aksioneve të Bankës Amerikane të Kosovës. Raiffeisen Bank kishte blerë në fillim të këtij viti 76 për qind të aksioneve nga “American Banc of Kosovo” gjegjësisht nga Fondi Financiar i Biznesit i financuar nga USAID dhe me blerjen e fundit ka siguruar kontrollin e plotë në këtë institucion të ri financiar të Kosovës.

Sipas Steven Grunderud, drejtor ekzekutiv i “Raiffeisen Bank Kosovo”, në të ardhmen nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha në zhvillimin e punës së bankës. Përkundrazi, aktivitetet do të jenë të ngjashme me ato që janë zhvilluar gjatë muajve të fundit.

“Raiffeisen Bank Kosovo” është themeluar në fund të vitit 2002 dhe për një periudhë mjaft të shkurtër ka arritur të etablohet si njëra ndër bankat komerciale më të rëndësishme në Kosovë. “Raiffeisen Bank Kosovo” ka hapur gjer më tani 16 degë dhe nëndegë në mbarë Kosovën dhe ka 289 punëtorë. Në fund të tremujorit të dytë të këtij viti, pasuria e saj ka arritur në 70.2 milionë euro. Institucion qendror i kësaj banke është “Raiffeisen Zentralbank Oesterreich” (RZB), i cila operon në shumicën e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe ka një rrjet prej 14 bankave në Evropën Qendrore dhe Juglindore.

ECIKS (K.D.)