Drejtori i Përgjithshëm i Bankës së Kursimeve, Ardian Kamberi, tregon të fshehtat e privatizimit të bankës më të madhe në vend
Një bankë austriake është investitori strategjik që kërkon të blejë Bankën shqiptare të Kursimeve. “Raiffeisen Bank” është banka e vetme që ka shprehur zyrtarisht interes për procesin e privatizimit, edhe pse nuk ka munguar interesi i vakët i Bankës së Kursimeve të Hungarisë (OTP). Interes ka shprehur gjithashtu edhe Citigroup dhe UBS, për të dhënë asistencë në procesin e ristrukturimit, për të marrë pjesë në marketimin e bankës, por ato nuk kanë shprehur interes për ta blerë Bankën e Kursimeve. “Banka më e interesuar për Bankën e Kursimeve ka qenë banka austriake “Raiffeisen Bank”, e cila ka kërkuar blerjen e 100 për qind të aksioneve të saj”, pohon për gazetën “Shekulli” drejtori i përgjithshëm i Bankës së Kursimeve, Ardian Kamberi. Sipas tij, banka austriake është e vetmja që është interesuar në vazhdimësi për bankën tregtare shtetërore, duke kërkuar blerjen e 100 për qind të aksioneve. “Nga takimet vërehet qartë se Banka e Kursimeve është në planet e “Raiffeisen Bank” për një privatizim strategjik”,- pohon Kamberi.
Problemi i vetëm është se “Raiffeisen Bank” kërkon të përjashtohet nga tenderi ndërkombëtar, gjithashtu kërkon blerjen e të gjitha aksioneve të Bankës së Kursimeve, gjë që bie ndesh me ligjin shqiptar “Për Privatizimin e Bankës së Kursimeve”. Vetë kreu i kësaj banke këtë kërkesë nuk e shikon si pengesë. “Për mua, çdo ligj privatizimi është në funksion të privatizimit të bankës. Në rast se një ligj privatizimi disa herë me radhë nuk jep rezultat, atëherë nuk shikoj asgjë të frikshme në rishikimin e ligjit të privatizimit”,- sqaron kreu i Bankës së Kursimeve.
-Cili është plani më i përshtatshëm për privatizimin e Bankës së Kursimeve? A do të veprohet me ndonjë nga planet “B”?
Në përgjithësi, do të preferoja të mos diskutohej asnjë lloj alternative, para hapjes së procedurave për privatizimin. Sipas planit të privatizimit, të miratuar në muajin shtator të vitit të kaluar në Uashington nga të gjitha institucionet donatore, është logjike të ndiqen të gjitha procedurat që janë paracaktuar dhe më pas mund të diskutohet ndonjë plan “B”. Çdo diskutim paraprak i planit “B”, përpara ndjekjes së procedurave të parashikuara, do të dëmtonte privatizimin e Bankës së Kursimeve.
Cilat janë hapat e privatizimit të Bankës së Kursimeve?
Hapat e privatizimit të Bankës së Kursimeve janë qenë dy. Ato janë hartuar një vit më parë në takimin e Uashingtonit. Në këtë takim u theksua se rruga drejt përmirësimit do të ketë dy faza: faza e parë, ristrukturimi dhe faza e dytë, privatizimi. Plani i ristrukturimit filloi në dhjetor të vitit 2002 dhe mbaron në shtator të vitit 2003. Aktualisht ky plan është realizuar mbi 90 për qind, gjë që e kanë vërtetuar edhe donatorët.
Çfarë përmban plani i ristrukturimit të bankës dhe sa është reduktuar numri i punonjësve të kësaj banke?
Plani i ristrukturimit përmban përmirësim e treguesve të bankës, reduktimin e stafit dhe informatizimin e bankës. Aktualisht. numri i punonjësve është reduktuar më shumë se 31 për qind. që prej momentit kur ka filluar ky ristrukturim. Pranë Bankës së Kursimeve në të gjitha degët aktualisht punojnë rreth 970 punonjës, nga 1 450 punonjës që kishte në muajin dhjetor 2002. Ndërkohë, Banka e Kursimeve ka përfunduar informatizimit e 10 degëve të saj kryesore, siç e përmbante edhe plani i ristrukturimit. Gjirokastra, Saranda, Vlora, Berati, Lezha, Tiranë, Shkodra, Durrësi dhe Elbasani janë degët që tashmë ofrojnë një shërbim më të shpejtë për klientët, ku kryhet edhe rreth 80 për qind e aktivitetit të kësaj banke. Hapat e tjerë të planit të ristrukturimit kishin të bënin me përmirësimin e sistemit të pagesave, që ka ndryshuar dhe shërbimi për klientët, që është përmirësuar në mënyrë të ndjeshme. Koha e qarkullimit të informacionit në bankë është përgjysmuar, duke përmirësuar sistemin e pagesave.
-Pas procesit të ristrukturimit, cilat do të jenë hapat që do të hedhë Banka e Kursimeve?
Në përfundim të planit të ristrukturimit dhe verifikimit të arritjeve të këtij plani, verifikime të cilat janë bërë edhe më parë nga institucionet ndërkombëtare, si: FMN-ja, Banka Botërore dhe IFC-ja. Ato janë shprehur se plani i ristrukutrimit ka ecur me ritme të paparashikuara, asnjë nga organizmat nuk ka pritur që plani mund të implementohej në këto nivele, sepse ai është quajtur shumë ambicioz dhe i pabesueshëm për t’u realizuar. Pas përfundimit të fazës së ristrukturimit, vjen faza e kontakteve me bankat e huaja që janë interesuar. Gjatë muajit maj-qershor ne kemi pasur kontakte me disa banka, ndërkohë që, pas muajit shtator, do t’i intensifikojmë këto kontakte.
Cilat janë bankat që ju keni kontaktuar dhe cila prej tyre ka qenë më shumë e interesuar?
Banka më e interesuar për Bankën e Kursimeve ka qenë banka austriake “Raiffeisen Bank”, e cila ka kërkuar blerjen e 100 për qind të aksioneve të saj. Banka autriake vlerësoi që në takimet e para parametrat e bankës, situatën, treguesit ekonomikë, kushtet e vendit, të lidhura këto me interesat e saj për t’u shpërndarë në rajon. Nga takimet, vërehet qartë se Banka e Kursimeve është në planet e “Raiffeisen Bank” për një privatizim strategjik. Ata kanë kërkuar të përjashtohen nga tenderat, ata gjithashtu kërkojnë blerjen e të gjitha aksioneve të Bankës së Kursimeve.
-Ligji aktual i privatizimit kërkon realizimin e një procesi me procedurat e tenderit të hapur ndërkombëtar. Nëse Banka e Kursimeve i shitet bankës austriake, a shkelet ky ligj?
Për mua çdo ligji privatizimi është në funksion të privatizimit të bankës. Në rast se një ligj privatizimi disa herë me radhë nuk jep rezultat, atëherë nuk shikoj asgjë të frikshme në rishikimin e ligjit të privatizimit.
Cili është qëllimi i bankës austriake? Në se e blen Bankën e Kursimeve, ajo do të vazhdojë të kryejë të njëjtin aktivitet?
Qëllimi i kësaj banke është të zhvillojë një aktivitet të mirëfilltë bankar, të rrisë konkurrencën bankare, të kreditojë ekonominë shqiptare, biznesin privat dhe ekonominë familjare për nevojat që ka, si dhe të integrojë Bankën e Kursimeve në rajon, atje ku ajo është e shtrirë. Kërkesa e “Raiffeisen Bank” është për ta kthyer Bankën e Kursimeve në një qendër rajonale për shumë shërbime të tjera, që kanë të bëjnë me pagesat. Kjo bankë është shtrirë me degët e saj në Kosovë, Kroaci dhe në Bosnjë-Hercegovinë, pra është një rajon që ata e kanë në strategjinë e tyre të zgjerimit.
Përveç bankës austriake, a ka banka të tjera të huaja që kanë shprehur interes për Bankën e Kursimeve?
Një bankë tjetër e interesuar është Banka e Kursimeve të Hungarisë (OTP). Përfaqësuesit e kësaj banke janë interesuar gjatë një takimi që kanë zhvilluar në Bankën e Kursimeve. Deri në vitin 1992 ajo ka qenë një bankë shtetërore dhe shtrihet jashtë territorit të Hungarisë, për herë të parë në Bullgari, ku është duke privatizuar një bankë bullgare. Ky është informacioni i vetëm që ne kemi për Bankën e Kursimeve të Hungarisë dhe ky është interesimi i vetëm që përfaqësuesit e kësaj banke kanë shprehur për Bankën e Kursimeve. Gjithashtu ka shprehur interes edhe “Citi Group”, që u ofrua për të dhënë asistencë për ristrukturimin, për të marrë pjesë në marketimin e bankës, por ata nuk kanë shprehur interes për ta blerë bankën, sepse nuk e ofrojnë këtë shërbim. “Citi Group” ka premtuar që me partnerët e tyre do të ekspozojnë Bankën e Kursimeve me vlerën që ka dhe kjo për ne është shumë pozitive. Por ende nuk janë dhënë sinjale pozitive nga kjo bankë. Në të njëjtin pozicion gjendet edhe UBS (Union Bank), e cila ka shprehur interes për të pasqyruar privatizimin e Bankës së Kursimeve. Kërkesa e “Raiffeisen Bank” është për ta kthyer Bankën e Kursimeve në një qendër rajonale për shumë shërbime të tjera, që kanë të bëjnë me pagesat. Kjo bankë është shtrirë me degët e saj në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë, pra është një rajon që ata e kanë në strategjinë e tyre të zgjerimit.
ECIKS / SHEKULLI