'Qeveria të modifikojë projektligjin për ndërmarrjet'

Prishtinë, 27 prill 2004 – Komisioni për tregti dhe industri vlerësoi se projektligji për ndërmarrjet që është caktuar të shqyrtohet në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, ka shumë mangësi që të jetë pengesë për zhvillimin ekonomik, prandaj si i tillë ai duhet t’i kthehet qeverisë për t’u modifikuar. Komisioni për tregti dhe industri pasi vlerësoi si të mangët të projektligjit për ndërmarrjet, organizoi dëgjimin publik me qëllim mbledhjen e informatave që të shfrytëzohen gjatë shqyrtimit të dytë të këtij projektligji. Bajrush Xhemajli, kryetar i komisionit për tregti dhe industri, tha se grupi punues i komisionit së bashku me ekspertë të tjerë ka konstatuar se projektligji ka aq shumë mangësi dhe si i tillë do t’i rekomandohet Kuvendit që të kthehet për modifikim në qeveri. Xhemajli tha se shumë prej dispozitave në këtë projektligj mund t’i pengojnë lehtë investimet private, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. “Do të ishte mirë që në këto rrethana të zhvillimit ekonomik të miratohet një ligj mbi ndërmarrjet, i cili si çështje primare synon mobilizimin e kapitalit privat dhe lehtësimin e investimeve nga jashtë dhe brenda”, – tha Xhemali. Ndërsa Janet Dine, njëra ndër hartueset e projektligjit për ndërmarrjet, kishte vlerësime pozitive dhe i kundërshtoi vërejtjet e ligjvënësve kosovarë. Sipas saj, ky projektligji ndihmon në krijimin e një ambienti të sigurt për biznesin në Kosovë dhe se ekspertët e Bankës Botërore janë shumë të kënaqur më të. Sipas saj, me këtë projektligj që bazohet në ligjin e BE-së, krijohen mundësi të orientimit të biznesit në cilëndo mënyrë, si në ndërmarrje ortakiere, kompani me përgjegjësi të kufizuar apo të pakufizuar. “Me këtë ligj ka zgjedhje të madhe dhe shumë mundësi për biznesin”, – tha ajo.

Në anën tjetër Gani Prekopuca, nënkryetar i komisionit për tregti dhe industri, tha që të merren ligjet e Serbisë të përkthehen komplet, të futen në projektligj dhe të thuhet se ai përputhet me direktivat e BE-së është shumë e palogjikshme. Komisioni për tregti dhe industri vlerësoi se të gjitha dispozitat të cilat nuk janë doemos të kërkuara nga direktivat e Bashkimit Evropian duhet të hiqen, ndërsa ato të cilave duhet t’u përmbahen, duhet të hartohen përsëri në atë mënyrë që të mos bien barrë e biznesit kosovar. Ky komision do të formojë sërish një komision tjetër për shqyrtimin e të gjitha vërejtjeve që do të dërgohen në afat prej pesë ditësh pas këtij dëgjimi publik dhe do të shikojë mundësinë e përpunimit të projektligjit, apo në të kundërtën të kthejë të përpunohet komplet ky projektligj.

ECIKS / Biznesi