Prishtinë, 27 prill 2004 – Aksioni i filluar me 12 prill, po shënon rezultate mjaft të mira, vlerësohet në KEK. Sipas zyrtarëve, kjo paraqet një hap drejt shlyerjes së borxheve të mëdha, të cilat kapin shumën prej rreth 160 milionë euro. Për këtë, veprimet për çkyqjen e konsumatorëve do të vazhdojnë deri sa të shlyhen borxhet e fundit ngase gjendemi në gjendje jo të mirë financiare”, thotë zëdhënësi Bektesh Rrudhani. Është filluar kryesisht me çkyqjen nga rrjeti të konsumatorëve komercialë, pastaj kalohet në shërbime publike, të disa pjesëve të ministrive dhe të ekonomive familjare. Borxhlinjtë nuk çkyqen menjëherë, por atyre iu jipen disa mundësi, thotë z. Rrudhani, duke sqaruar se nga konsumatorët komercialë kërkohet të paguajnë menjëherë rreth 60% të borxhit të përgjithshëm, kurse nga ekonomitë familjare të paguajnë së paku tri fatura. “Edhe i jepet afati për pagesën e pjesës tjetër të borxhit të mbetur, nëse edhe në këtë kohë nuk i paguan borxhet atëherë do të shkojmë ndoshta edhe në një veprim jo shumë të dëshirueshëm, të konfiskojmë njehësorët elektrikë dhe kabllot përcjellëse dhe natyrisht në rastet e tilla edhe do të bëhen gati kallzimet penale”, sqaron z. Rrudhani. Detyrë e ekipeve, shembull në rajonin e Prishtinës, është t’i çkyqin afro 100 borxhlinjë në ditë. Nëse ndonjë prej tyre nuk i lejon ekipet t’a kryejnë punën e vet, ekipet janë të detyruara t’i paraqiten eprorit, e pastaj eprori përmes udhëheqësit të vet kërkon ndihmën e policisë.
ECIKS / RTKLive