Prishtinë, largohen shitësit ilegalë nga trotuaret

Prishtinë, 28 prill 2004 – Kuvendi Komunal i Prishtinës ripërsëriti premtimin se do të largohen të gjithë shitësit ilegalë të rrugëve nga trotuaret e Prishtinës dhe se do të bëhet zhvendosja e tërësishme e tregut të gjelbër prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve për në vendet e caktuara. Bajram Mjeku, zyrtar për informim i Kuvendit Komunal të Prishtinës, tha se shitësit ilegalë duhet të përfillin urdhrat e ligjvënësve komunalë dhe të largohen nga trotuaret. Për këtë iniciativë, zëdhënësi Mjeku tha se inspektorët gjegjës në bashkëpunim me Shërbimin Policor të Kosovës janë përgjegjës dhe të vendosur që të përmbushin premtimin. “SHPK-ja kohë më parë nuk i është përgjigjur kërkesës sonë për largimin e shitësve ilegalë. Tani kur kemi forcuar bashkëpunimin me SHPK-në aksionet e tilla do të jenë të përditshme”, – tha ai.

Ai tha se Drejtorati për Inspeksion i komunës ka marrë përsipër zhvendosjen e tregtarëve në tregjet përkatëse, njërin në Bregun e Diellit dhe tjetrin pas rregullimit të tërësishëm në Kodrën e Trimave. Sipas tij, inspektorët komunalë që përkujdesen për këtë nismë nuk kanë hasur në probleme me shitësit e rrugëve. Për të vënë rregull në këtë çështje, në raste të moszbatimit të urdhrave, inspektorët kanë paraparë masa gjobitjeje dhe konfiskim të mallit. “Problemi i shitësve ilegalë përfundimisht do të zgjidhet kur të zhvendoset tregu i gjelbër prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Kjo hapësirë e ngulfatur ende vazhdon të paraqesë probleme si për këmbësorët, ashtu edhe për trafikun rrugor, meqë parkingjet e shumta janë zënë nga shitësit. Kohë më parë pushteti lokal në kryeqytet ka vendosur zhvendosjen e tregut kryesor të Prishtinës për në periferi të qytetit në rrugën për në Fushë Kosovë, por kjo ende nuk është bërë. Po ashtu, në lagjen Kodra e Diellit komuna ka ndërtuar një treg alternativ, mirëpo ai ka mbetur i zbrazët prej dy vjetësh, që nga koha e promovimit, për arsye se tregtarët thonë se tregu ndodhet në periferi dhe se nuk kanë klientë. Tregjet ekzistuese të kryeqytetit ndodhen në rrugët kyçe dhe ato shkaktojnë tollovi në komunikacion.

ECIKS/Balkanweb