Kryeministri Rexhepi vizitoi Fushë Kosovën

Prishtinë, 28 prill 2004 – Në kuader të nismës së Qeverisë për dialog të brendshëm ndëretnik, sot kryeministri i Kosovës, Dr. Bajram Rexhepi, ka vizituar komunën e Fushë Kosovës, njofton Zyra për Informim e Kryeministrit.

Dr. Rexhepi në këtë temë, bisedoi me udhëheqjen komunale. Fillimisht kryetari i Komunës, z.Skender Zogaj, me bashkëpunëtorë informoi kryeministrin Rexhepi për gjendjen aktuale në këtë komunë, me theks të veçant për aktivitetet lidhur me riparimin e dëmeve të shkaktuara gjatë trazirave të 17 dhe 18 marsit të këtij viti.

Kryeministri Rexhepi vlerësoi pozitivisht punën e bërë në këtë komunë lidhur me vlerësimin e dëmeve dhe iniciativat për rindërtimin e shtëpive dhe objekteve tjera. Fushë Kosova është një ndër komunat që ka pësuar më së shumti dëme gjat këtyre trazirave, prandaj, për këtë arsye nga Komisioni Qendoror i është dhënë prioritet, theksoi kryeministri.Rexhepi. Me këtë rast ai shprehu kënaqësinë që në këtë takim merrnin pjesë edhe pjesëtarët e komunitetit serb dhe ashkali, të cilët bashkarisht janë angazhuar në tejkalimin e gjendjes së shkaktuar gjatë 17 e 18 marsit. Kryeministri Rexhepi inkurajoi ata, që përkundër vështirësive me të cilat ballafaqohen, të punojnë bashkarisht brenda institucioneve të Kosovës, sepse është interesi i tyre që këtu t’i rregullojnë dhe t’i zgjidhin problemet e tyre. Ai më tutje tha se jo gjithëher Beogradi është angazhuar për interesat e komunitetit serb në Kosovë.

“Është e vërtetë se dialogu me Beogradin është i rëndesishëm, por po ashtu dialogu i brendshëm për ne në Kosovë është shumë i rëndësishëm dhe i domsodoshëm. Mund të them se ky dialog deri tash na ka munguar.
Ne do të vazhdojmë t’i vizitojmë komunat me popullsi të përzier dhe nuk do të kursehemi të ndihmojmë për një dialog të sinqertë dhe konstruktiv ndëretnik. Ne do të tregojmë zemërgjerësinë tonë. Pikërisht pse ne kemi qenë të diskriminuar, nuk do të lejojmë që të tjerët tash të diskriminohen. Në Kosovë ka vend për të gjithë ata që deshirojnë të jetojnë në të, Fushë Kosova duhet të jetë një shembull i mirë për këtë”, tha Kryeministri Rexhepi.

“Edhe një herë dua të ritheksoj se do ta keni përkrahjen e Qeverisë për të përfunduar sa më shpejt procesin e rehabilitimit të objekteve të banimit, atyre publike dhe fetare, në mënyrë që njerëzit të mund të kthehen. Besoj se kjo punë duhet të kryhet deri në shtator të këtij viti. Fondi është caktuar, prej 5 milion Euro dhe sipas nevojes dhe mundësive ne do ta rrisim këtë fond ndoshta edhe përmes donacioneve”, tha në përfundim të vizitës Dr. Rexhepi.

ECIKS