Qeveria shqiptare pro tregtisë së lirë me Kosovën

TIRANË – Qeveria e Shqipërisë miratoi në parim marrëveshjen e tregtisë së lirë me misionin e Kombeve të Bashkuara për Administratën e Përkohshme të Kosovës, në emër të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës. Kjo marrëveshje me Kosovën, vlerësohet e një rëndësie të veçantë, së pari në planin politik, pasi shënon një stad të ri marrëdhëniesh të ngushta, dhe së dyti në drejtim të një bashkëpunimi thellësisht të ngushtë ekonomik dhe tregtar, në mënyrë të veçantë, duke fuqizuar marrëdhëniet e ndërsjellta të komuniteteve të bizneseve shqiptare dhe kosovare. Marrëveshja është arritur pas dy raundeve negociatash, zhvilluar ndërmjet grupeve negociatore të të dy vendeve. Me këtë marrëveshje, qeveria shqiptare synon përmbushjen e angazhimeve të saj në kuadër të zbatimit të “Memorandumit Ndërrajonal të Mirëkuptimit për Liberalizimin dhe Lehtësimin e Tregtisë” ndërmjet vendeve përfituese të Paktit të Stabilitetit dhe vazhdimin e përmbushjes së angazhimeve në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me BE-në. Gjithashtu, Tirana synon arritjen e objektivave në kuadrin e programit të qeverisë shqiptare për lehtësimin dhe liberalizimin e mëtejshëm të tregtisë dhe krijimin e një ambienti politikash për zgjerim të mëtejshëm të tregjeve në rajon, përtej vendeve nënshkruese të Memorandumit të Mirëkuptimit.

ECIKS / KORRIERI