FMN e pakënaqur me reformat në Shqipëri

TIRANË – Reforma strukturore në Shqipëri nuk ka ecur, sipas parashikimeve dhe po kështu, mbledhja e të ardhurave nuk ka qenë në planin e kërkuar, ka vlerësuar Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombetar (FMN) një ditë më parë gjatë rishikimit të dytë të ecurisë ekonomike të Shqipërisë në kuadrin e marrëveshjes për reduktimin e varfërisë dhe nxitjen e rritjes ekonomike (PRGF). Sipas njoftimit të selisë qendore të FMN në Uashington vendimi i Bordit te FMN-së do të hyjë në fuqi mbas një vendimi të mëtejshëm të Bordit Ekzekutiv të Bankës Botërore për rishikimin e Strategjisë së Uljes së Varfërisë së Shqipërisë, me 10 korrik 2003. Fondi vlerëson se, Shqipëria ka synuar në mbajtjen e inflacionit në nivele të ulta, stabilitet në kursin e këmbimit dhe një konsolidimin gradual të situates fiskale. Por, institucioni që monitoron zhvillimet makroekonomike në vendin tonë ka vlerësuar se, reformat strukturore nuk kanë ecur siç duhet. “Sidoqë, reformat srtukturore kanë shkuar dobët, autoritetet janë duke marrë masa për të shpejtuar procesin”, thuhet në njoftimin e Fondit. Në rishqyrtimin e dytë që ju bë marrëveshjes, FMN kërkon prej qeverisë shqiptare një progres më të madh në sektorin fiskal dhe forcimin e reformave strukturore. “Politikat fiskale kanë qenë më të dobëta se sa priteshin, por kjo nuk ka ndikuar në tejkalimin e parashikimeve për deficitin buxhetor”, bën te ditur njoftimi i Uashingtonit. Por megjithëkëtë autoritetet e financave shqiptare janë këshilluar në lidhje me permirësimin e mbledhjes së taksave të zgjerojnë bazën e tatimpaguesve dhe të forcojnë procedurat buxhetore. Gjithashtu FMN ka këshilluar edhe njëherë për forcimin e sektorit privat me prioritet uljen e barrierave administrative për investitoret e huaj, një qeverisje më të sigurtë dhe luftimin e korrupsionit. Fondi Monetar Ndërkombëtar nënshkroi vitin e kaluar marrëveshjen trevjeçare me Shqipërinë PRGF, e cila parashikon disbursimin e rreth 39 milionë dollarëve në favor të ekonomisë shqiptare. Nga kjo shumë janë disbursuar deri tani rreth 11 milionë dollarë.

ECIKS / KORRIERI