Bankat nga Shqipëria e Serbia mësyejnë Kosovën

PRISHTINË, 05 KORRIK 2003 – Drejtori i sapoemëruar i Autoritetit të Bankave dhe Pagesave të Kosovës (BPK), Donat Branger, pasi që ka prezantuar stafin e ri udhëheqës të kësaj banke, për herë të parë ka bërë të ditur dje se në Kosovë kanë aplikuar për licencim Banka Komerciale e Beogradit dhe Banka e Kursimeve nga Shqipëria. Kohë më parë Banka Qendrore e Serbisë ua ka dhënë dritën e gjelbër bankave komerciale serbe që të aplikojnë pranë BPK-së për hapjen e filialeve në Kosovë. Banka Komerciale e Beogradit qysh prej vitit 1992 ka vepruar si bankë e pavarur, ndërsa në vitin 1993 është organizuar si shoqëri aksionare. Në territorin e Serbisë dhe Malit të Zi kjo bankë ka 22 degë me 255 filiale dhe është njëherish njëra ndër bankat më të suksesshme në këtë vend.

Ndërsa, Banka e Kursimeve është banka më e madhe në Shqipëri dhe zotëron afërsisht 85 për qind të tregut të depozitave në lek, dhe 60 për qind të depozitave në monedhë të huaj. Banka e Kursimeve mbulon me rrjetin e saj të gjithë territorin e Shqipërisë dhe ka 35 degë, 88 agjenci bankare dhe 37 pika ku kryhet shërbimi MoneyGram. Në këto kushte Banka e Kursimeve operon si një bankë tregtare universale. Privatizimi i Bankës së Kursimeve pritet të ndodhë gjatë vitit 2003.

Deri më tani në Kosovë janë të licencuara gjithsejt 7 banka komerciale dhe 13 institucione mikrofinanciare e jo bankare. Bankat më të mëdha komerciale që aktualisht veprojnë në Kosovë janë Raiffeisenbank Kosova (ish-Banka Amerikane) dhe Micro Enterprise Bank – MEB.

ECIKS – (K.D.)