Qeveria: privatizimi duhet të vazhdojë menjëherë

PRISHTINË, 20 NËNTOR 2003 – Privatizmi duhet të vazhdojë menjëherë sepse as në Zyrën Ligjore të Kombeve të Bashkuara nuk është konstatuar ndonjë arsye për ndërprerjen e privatizimit dhe dëmet që shkakton kjo ndërprerje nuk mund të kompenzohen.

Kështu tha zëdhënësja Mimoza Kusari, pas mbledhjes së qeverisë. Ajo megjithatë pohoi të ketë disa ndërlikime të reja, të cilat shpreson të qartësohen deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të AKM-së.

Çështje tjetër delikate sa i përket privatizimit është ajo e bazës ligjore. Sipas Kusarit, deri të premten do të ketë takime intensive lidhur edhe me tri ligjet e pas 22 marsit të ‘89-ës, për privatizimin.

Qëndrimi fillestar i qeverisë ka qenë kundër njohjes së këtyre ligjeve, mirëpo tani, tha Kusari, është krijuar një konfuzion mjaft i madh sa i përket pronësisë së ndërmarrjeve.

Në takimin e sotëm të Qeverisë është diskutuar edhe për gjendjen e hekurudhave në vend, për të cilat u kërkua bartje të më shumë kompetencave te organet vendore, si dhe për mbledhjen e ardhshme të mekanizmit përcjellës për Asociim-Stabilizimin.

Qeveria sot u ka dhënë vizën edhe disa projektligjeve në tregëti, bujqësi dhe shëndetësi.

ECIKS / RTK