INSIG drejt fazës së dytë të privatizimit

TIRANË, 21 NËNTOR 2003 – Marrëveshjet ligjore për privatizimin e INSIG-ut tashmë janë kthyer në formën e projektligjeve, të cilat pritet që të kalojnë brenda kësaj jave për miratim në Parlament.

Miratimi i marrëveshjeve për shitjen e 39 për qind të aksioneve finalizon edhe fazën e parë të privatizimit të kompanisë shtetërore të sigurimeve dhe i hap rrugë fazës së dytë të privatizimit të kësaj kompanie. Ministri i Financave Kastriot Islami, dje gjatë një konference për shtyp, parashtroi të gjitha hapat që u ndoqën gjatë fazës së parë të privatizimit, e cila është tashmë pranë finalizimit të saj, duke theksuar se: “këto hapa kanë qenë gjithnjë transparentë, ligjorë dhe të konsultuar me partnerët ndërkombëtarë”.

Sipas Islamit, gjatë fazës së parë u përcaktua kompania “Deloitte & Touche” për auditimin e INSIG-ut dhe me financimin e Bankës Botërore u bë vlerësimi i kompanisë nga një vlerësues ndërkombëtar i njohur si KPMG. “Në përfundim të këtij vlerësimi rezultoi se vlera e kësaj kompanie luhatej nga 2.3-2.8 miliardë lekë”, -pohon Islami. “Gjatë negociatave, dy institucionet ofruan zyrtarisht çmimin 3.1 miliardë lekë, i cili pas rinegociatave arriti në 3.2 miliardë lekë”. Ky çmim sipas ministrit të Financave është rreth 40 % më i lartë se vlera minimale e rezultuar nga vlerësimi i KPMG dhe i pranuar nga Këshilli i Ministrave dhe rreth 15 % më i lartë, se vlera maksimale e këtij vlerësimi. Sipas Islamit, pas përfundimit të fazës së parë i hapet rruga fazës së dytë, asaj të përzgjedhjes së investitorit strategjik, i cili do të zotërojë paketën kontrolluese të INSIG.

ECIKS / SHEKULLI