OTP kërkon 100 % të aksioneve të Bankës së Kursimeve

TIRANË, 21 NËNTOR 2003 – Banka hungareze OTP kërkon që të blejë 100 për qind të aksioneve të Bankës së Kursimeve. “Ne kërkojmë që t’i japim një fytyrë të re Bankës së Kursimeve, sepse jemi më të mirët”, -është shprehur drejtuesi i lartë i bankës OTP me qendër në Budapest gjatë një konference për shtyp, Laszlo Wolf. Sipas tij, banka OTP mund të shndërrojë Bankën Shqiptare të Kursimeve nga një bankë të vjetër në një bankë moderne. Ndërkohë ambasadori i Hungarisë në Shqipëri i pranishëm në këtë konferencë për shtyp ka deklaruar se “gara për blerjen e Bankës së Kursimeve me siguri që do të fitohet nga OTP Bank”. Çmimi që do të ofrohet për Bankën e Kursimeve, shërbimet e reja, sistemi i operimit, fuqizimi i degëve në rrethe, eksperienca në industrinë e turizmit, stabiliteti bankar i bankës OTP në të gjithë Europën dhe cilësia e shërbimeve të saj, do të bëjnë që kjo bankë të fitojë tenderin ndërkombëtar për blerjen e Bankës së Kursimeve, sqaron Wolf. “Ne kemi një sistem të konsoliduar dhe një plan biznesi se si mund të afrojmë klientët”, -shprehet Laszlo Wolf për gazetën “Shekulli”. Sipas tij, nëse banka OTP do të blejë Bankën e Kursimeve, kjo bankë brenda 6 ose 10 muajve do të kryejë një aktivitet bankar të standardeve ndërkombëtare. Drejtuesit e bankës OTP sqarojnë se Banka e Kursimeve është në strategjinë e tyre rajonale, me qëllim që të bëhet një grup kryesor i shërbimeve financiare në rajon. Rritja e rajonit të Europës Qendrore dhe Lindore, krijimi i grupeve financiare, sigurimi i një shërbimi cilësor dhe të lartë për të gjithë klientët, si dhe rritja e kursimeve nga shkalla e gjerë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rritja e efikasitetit të shërbimeve janë synimet strategjike të bankës OTP. Wolf shprehet se: “gurë themeltarë të vizionit të strategjisë së OTP-së për Bankën e Kursimeve janë futja e produkteve të reja, futja e teknologjive të reja, mundësi të reja për klientët dhe për punonjësit e kësaj banke, investime të mëdha”

ECIKS / SHEKULLI