Prishtinë, 24 qershor 2004 – Qeveria e Kosovës i ka hapur dritën e gjelbër vazhdimit të procesit të privatizimit në Kosovë. Kjo do të thotë se Qeveria i ka pranuar tri kërkesat shtesë të Nju Jorkut për vazhdimin e këtij procesi. Qeveria ka diskutuar në një mbledhje të saj për raportet e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, AKM, dhe ka vendosur që të përkrahë vazhdimin e procesit të privatizimit me shpalljen e raundit të tretë gjatë muajit qershor.
Qeveria kërkon që çështjet teknike për politikat operacionale të shqyrtohen dhe të përpunohen gjatë procesit duke mbajtur të informuar anëtarët vendorë të bordit të AKM-së. Qeveria do të ndjekë çështjen e privatizimit në vazhdimësi, dhe këmbëngul që procesi të jetë plotësisht transparent, me dëshirë që ky të jetë edhe fundi i mosmarrëveshjeve dhe një rifillim i mbarë i një procesi tepër të rëndësishëm për inkurajimin e investimeve dhe për një zhvillim të qendrueshëm ekonomik.
Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi ka deklaruar se qeveria me këtë hap të saj, do të provojë t’i japë shans zhbllokimit të procesit të privatizimit. Qeveria ka kërkuar që cështjet teknike për politikat operacionale të përpunohen në përcjellje të vazhdueshme të anëtarëve vendorë të bordit të AKM-së.
ECIKS / Balkanweb