Qeveria: Garanci për ligjshmërinë e privatizimit të BK-së

Tiranë, 15 dhjetor 2003 – Qeveria shqiptare në mbledhjen e saj të fundit miratoi vendimin “Për miratimin e projektkontratës për shitjen e aksioneve të Bankës së Kursimeve, sh.a.” Kontrata e shitjes së aksioneve është konceptuar në dy faza. Faza e parë lidhet me realizimin e kushteve paraprake të përfshira në kontratë, përmbushja e të cilave sjell mbylljen e fazës së parë. Me mbylljen e kësaj faze dhe përmbushjen e detyrimeve të palëve lidhur me këtë fazë, blerësi kryen transferimin 100 për qind të çmimit të blerjes në llogarinë e ngurtësuar.

Faza e dytë e shitjes së aksioneve lidhet me kompletimin e procedurës së regjistrimit të aksioneve në emër të pronarit të ri (blerësit) pranë Gjykatës së Shkallës së Parë – Tiranë dhe transferimin e çmimit të blerjes nga llogaria e ngurtësuar në favor të shtetit. Në tekstin e kontratës janë parashikuar që, pala shitëse, shteti shqiptar, do t’u japë investitorëve të huaj, garancitë që kanë të bëjnë me ligjshmërinë e procesit të privatizimit si dhe të ligjshmërisë së veprimtarisë operacionale të deritanishme të Bankës së Kursimeve.

Kontrata nuk parashikon asnjë çmim pasi është blerësi ai që duhet të ofrojë çmimin, bazuar në numrin e aksioneve që ai propozon të blejë, në varësi kjo dhe të kushteve dhe afateve të kontratës. Kontrata parashikon, gjithashtu, se 10 për qind e çmimit të blerjes do të transferohet nga blerësi në llogari të ngurtësuar që do të hapet në një bankë të pavarur, e cila do të vendoset me marrëveshjen e palëve me nënshkrimin e kontratës. Ndërsa pjesa tjetër e çmimit prej 90 për qind do të transferohet në llogarinë e ngurtësuar gjatë realizimit të fazës së parë të shitjes së aksioneve dhe banka e llogarisë së ngurtësuar do ta transferojë këtë shumë te shitësi në fazën e dytë të shitjes së aksioneve. Ashtu siç është bërë e njohur pritet që këtë javë të zhvillohet edhe tenderi përfundimtar për blerjen e kësaj banke shtetërore, ku janë kualifikuar për këtë fazë finale dy banka të njohura europiane, Banka OTP e Hungarisë dhe “Raiffeisen” e Austrisë.

ECIKS / Shekulli