Qeveria do të marrë nën kontroll AKM-në para qershorit

PRISHTINË – Qeveria e Kosovës do të marrë nën kontroll Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit e bashkë me të edhe të gjitha kompetencat për ndërmarrjet publike dhe ato shoqërore, më së largu deri në muajin qershor të këtij viti.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili njëkohësisht është edhe zëdhënës i Qeverisë, ka bërë të ditur për “Kohën Ditore” se marrja e të gjitha kompetencave të AKM-së do të nënkuptojë edhe kërkesën për kontroll të menaxhimit të mjeteve të buxhetit, që u jepen në shfrytëzim ndërmarrjeve publike, siç është Korporata Energjetike e Kosovës.

Kësaj të fundit, gjatë tetë vjetëve të pasluftës, që nga vitit 2000 e deri sivjet, Qeveria i ka dhënë nga arka e Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës, gati gjysmë miliardë eurosh, për shfrytëzimin e të cilave KEK-u asnjëherë nuk ka raportuar para Kuvendit të Kosovës dhe as para Qeverisë.

Arsyetimi i vetëm pse nuk është bërë një gjë e tillë, sipas drejtuesve të KEK-ut, ka qenë se ajo është nën menaxhimin e AKM-së, dhe se kjo e fundit bazuar në Rregulloren mbi themelimin e saj, duhet t’i raportojë vetëm PSSP-së.

Ndërkohë që te neni 20 i Rregullores së ndryshuar të AKM-së 2005\18 mbi themelimin e saj, thuhet se “Bordi i AKM-së i paraqet Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm raporte tremujore, të cilat duhet të përmbledhin aktivitetin e Agjencisë dhe t’i pasqyrojnë rezultatet financiare”.

Ndërsa, në nenin 20.3 të kësaj rregulloreje thuhet se “drejtori menaxhues duhet të përgatisë buxhetin vjetor të të hyrave dhe shpenzimeve të parapara të Agjencisë për miratim nga Bordi”.

Megjithatë, sipas zëvendëskryeministrit Kuçi, Qeveria shumë shpejt do të ketë në dorë mundësinë për ndryshimin e këtyre procedurave ligjore, e bashkë me të edhe kontrollin e menaxhimit të mjeteve që i jepen KEK-ut nga buxheti i Kosovës.

“Nivelin e llogaridhënies e kemi parim në qeveri dhe kjo vlen për të gjithë shpenzuesit e buxhetit të Kosovës. Një gjë të tillë ne do ta kërkojmë vazhdimisht, njëkohësisht që me transferimin e kompetencave të gjitha ndërmarrjet publike do të kalojnë nën autoritetin e qeverisë”, ka nënvizuar Kuçi.

Ai ka shtuar se për këtë gjë, Qeveria do t’i bëjë edhe përgatitjet legale, por edhe organizimet e tjera të duhura.

“Edhe AKM-ja do të bartet nën kompetenca të qeverisë”, ka thënë Kuçi, duke shtuar se për këtë institucion do të nxirret ligj i veçantë për AKM-në, për çka, sipas tij, tashmë ka kaluar një dokument, i cili më tepër ka të bëjë me ndërmarrjet shoqërore.

“Por do ta kemi edhe ligjin për ndërmarrjet publike dhe të gjitha këto ndryshime do të ndodhin përpara qershorit”, ka saktësuar Kuçi.

I pyetur nëse qeveria Thaçi do të kërkojë raportim nga KEK-ut rreth shpenzimit të parave të buxhetit edhe për vitet e kaluara, Kuçi ka thënë: “Kjo është çështje e auditimit, por ne do t’i shikojmë të gjitha, edhe raportet rreth mjeteve të buxhetit që i janë dhënë në vitet kur PDK-ja nuk ka qenë drejtuese e pushtetit. Dhe këtë do ta bëjmë, jo në kuptimin që të hakmerremi, por për ta respektuar dhe plotësuar kërkesën ligjore”.

Muhamet Mustafa, kryetar i institutit për hulumtime zhvillimore “Riinvest”, ka deklaruar për gazetën se as AKM-ja dhe as KEK-u nuk kanë raportuar asnjëherë deri tani në qeveri dhe as në Kuvend lidhur me atë se ku kanë shkuar paratë e buxhetit, me të cilat është subvencionuar KEK-u.

Sipas tij, “çdokush që shpenzon mjetet e buxhetit, duhet të japë llogari para Parlamentit dhe të sjellë raport të shkruar lidhur me atë se ku kanë shkuar këto mjete”.

Ndërkohë, Nezir Sinani, zëdhënës në KEK, ka pohuar se “menaxhmenti aktual deri më tani nuk ka raportuar asnjëherë në Kuvend, lidhur me shpenzimet e parave të buxhetit që i janë ndarë KEK-ut”.

Ai ka shtuar se lidhur me paratë që i janë ndarë KEK-ut gjatë kohës së menaxhmenteve të tjera duhet pyetur AKM-ja. Bazuar në një raport të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave, ku janë përmbledhur mjetet e buxhetit që i janë dhënë KEK-ut, secilin vit që nga paslufta, shihet se në vitin 2000 KEK-ut i janë dhënë mbi 11 milionë e 600 mijë euro, në vitin 2001 rreth 46 milionë euro; një vit më pas, më 2002, KEK-u ka marrë rreth 103 milionë euro të buxhetit, dhe kjo është bërë pas avarisë së zjarrit që pati djegur termocentralin “Kosova B”. Pastaj, në vitin 2003 KEK-ut i janë dhënë rreth 53.5 milionë euro të buxhetit, në vitin 2004 rreth 27.5 milionë euro, një vit më pas, në 2005-n i janë dhënë mbi 50 milionë euro, në vitin 2006 rreth 44 milionë euro, në vitin 2007 rreth 54.2 milionë euro, dhe në vitin 2008 nga buxheti për KEK-un janë ndarë 59.5 milionë euro, ku madje nuk është përfshirë huaja e paraparë për këtë ndërmarrje në vlerë prej 94 milionë eurosh.

Salie Gajtani-Osmankaq / Koha Ditore